Ilustrim

Bashkëshorti dyshohet se e rrahu me grushte e kabllo, gruaja ik nga shtëpia

Një grua është sulmuar me grushte e kabllo në pjesë të ndryshme të trupit në Gjakovë.

Autori dyshohet të jetë bashkëshorti i saj ndërsa ngjarja është raportuar se ka ndodhur gjatë ditës së sotme në rrugën “Shote Galica” në Gjakovë.

Zëdhënësi i Policisë së Gjakovës, Nysret Xhurkaj tha për KALLXO.com se viktima ka marrë lëndime të lehta trupore ndërsa është larguar edhe nga shtëpia pas ngjarjes që ka ndodhur.

“Viktima është dërguar për tretman mjekësor dhe më pas është intervistuar. Punëtori social ka qenë prezent gjatë procedimit të rastit të viktimës. Viktima është dërguar në shtëpi të sigurt”, tha Xhurkaj.

Ai shtoi se bashkëshorti i viktimës është kërkuar nga ana e njësiteve policore por ende nuk është lokalizuar.

“Për rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar. I dyshuari për momentin gjendet në arrati”, njoftoi tutje Xhurkaj.