Avokati i Popullit: Kuvendi i Kosovës bëri shkelje kushtetuese në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor

 

Gjyqtarët Besnik Bislimaj dhe Alban Ajvazi kanë qenë dy kandidatët aplikues për të qenë anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Pas dy raundeve të votimit në Kuvendin e Kosovës, Kuvendi kishte marrë vendim se asnjëri nga dy kandidatët e propozuar nuk e kishte fituar numrin e mjaftueshëm të votave për t’u zgjedhur anëtar i KGJK-së dhe për të njëjtën çështje duhej të përsëritej konkursi.

Gjyqtari Bislimaj kishte paraqitur padi kundër këtij vendimi të Kuvendit të Kosovës dhe rastin e ka paraqitur tek Institucioni i Avokatit të Popullit.

Në raportin e siguruar nga Kallxo.com, Avokati i Popullit ka konstatuar që Kuvendi i Kosovës ka bërë shkelje kushtetuese lidhur më këtë rast.

Sipas këtij raporti, Kushtetuta e Republikës së Kosovës rregullon çështjen e përbërjes së anëtarëve të KGJK-së, ndërsa Ligji për KGJK-në rregullon procedurën e propozimit, zgjedhjes dhe shkarkimit të anëtarëve të këtij Këshilli.

Tutje, sipas këtij raporti, Kuvendi i Kosovës duhet të bazohet në dispozitat e Ligjit për KGJK-në kur zhvillon procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të KGJK-së, lidhur me rastin konkret jo të gjitha veprimet kanë qenë të bazuara në këtë ligj, specifikisht neni 10, paragrafi 9 i këtij ligji.

Kjo dispozitë qartazi përcakton se kur procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor arrin për votim në Kuvend dhe nëse në raundin e parë asnjëri nga kandidatët nuk merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, atëherë në raundin e dytë konsiderohet i zgjedhur kandidati i cili ka marrë numrin më të madh të votave.

“Kuvendi në rastin konkret nuk e kishte respektuar tërësisht procedurën e përcaktuar në nenin 10, paragrafi 9, të Ligjit të KGJK-së dhe si rrjedhojë ankuesit i ishte pamundësuar realizimi i të drejtës së përcaktuar në dispozitën e theksuar”, thuhet në pikën e 28 të raportit të siguruar nga Kallxo.com.

Sipas këtij raporti, Institucioni i Avokatit të Popullit konsideron që Kuvendi i Kosovës nuk duhet të jetë asnjëherë bllokues i funksionimit të organeve apo institucioneve që bëjnë pjesë në pushtetet e tjera shtetërore.