Avokati i Popullit i kërkon KQZ-së shtyrjen e afatit për pranimin e votave të diasporës

Avokati i Popullit, Naim Qelaj përmes një reagimi ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të aprovohet kërkesa e diasporës për shtyrjen e afatit për pranimin e votave të tyre për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Kërkesë e veçantë e votuesve jashtë vendit ka qenë mundësia që të shtyhet afati për pranimin e votave të dërguara me postë. Lidhur me këto ankesa, Avokati i Popullit i bënë thirrje KQZ-së t’i shqyrtojë ato me qëllim që askush të mos privohet nga e drejta për të votuar”, është bërë e ditur në reagim.

Ky institucion po ashtu ka bërë të ditur se ka pranuar edhe ankesa nga qytetarët që ndërlidhen me procesin zgjedhor e që kryesisht kanë të bëjnë me verifikimin e aplikacioneve jashtë vendit, vështirësitë për shkarkim të formularëve të fletëvotimeve nga ëeb faqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mos përfshirja e qytetarëve me të drejtë vote në listën e votuesve, si dhe mospranimi përmes emailit të ankesave nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Avokati i Popullit po ashtu sot është shprehur i shqetësuar në lidhje me mos zbatimin masave për parandalimin e pandemisë COVID-19 gjatë fushatës zgjedhore duke e quajtur standard të dyfishtë, meqë masat po sforcohen për qytetarët në situata të tjera.

Zgjedhjet e parakohshme nacionale në vend pritet të mbahen këtë të dielë, më 14 shkurt.