Avdullah Hoti: I kemi borxh familjes së policit të vrarë Enver Zymberi 

Në nëntëvjetorin e vrasjes së pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se shteti i ka borxh familjes së heroit.

Në një ceremoni përkujtimore përveç familjes së policit morën pjesë edhe kolegët e tij.

Të veshur më uniforma të Policisë, kolegët e tij pritën kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili përkujtoi sakrificën e Zymberit.

“Ne kemi borxhi atij, familjes së tij dhe gjithë oficerëve policorë që kanë rënë në krye të detyrës dhe që po bëjnë punën e tyre. I përgëzoj për këtë dhe u jam mirënjohës”, tha Hoti.

Kryeministri theksoi se Zymberi ka rënë duke e mbrojtur rendin kushtetues dhe integritetin territorial.

“Kemi dalë për të kryer nderime. Enver Zymberi ka rënë në krye të detyrës për të mbrojtur rendin kushtetues dhe integritetin territorial të vendit për të shtrirë Kushtetutën dhe ligjin në çdo cep të territorit të Kosovës”, u shpreh Kryeministri.

Enver Zymberi u vra më 26 korrik 2011, kur Qeveria e Kosovës nisi forcat e saja policore për të vënë nën kontroll pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak në veri të vendit.

Një ditë pas vrasjes ai është shpallur Hero i Kosovës nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga.

Arrestohet në Veri i Dyshuari për Vrasjen e Enver Zymberit