Shoqata e Naftëtarëve kërkon shfuqizimin e udhëzimit administrativ për kontrollin e naftës

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka kërkuar Komisioni i angazhuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për plotësim ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Kontrollin e Cilësisë së Naftës, që të anuloj në tërësi këtë udhëzim.

“Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, e kundërshton në tërësi tentimin e këtij Komisioni për plotësim ndryshimin e UA në fjalë, dhe kërkon që të shfuqizohet tërësisht UA 09/2020, ashtu siç ka kërkuar kryeministri i Kosovës”, thuhet në reagim të Shoqatës.

Sipas Shoqatës, edhe kryeministri i vendit, Avdullah Hoti më datën 11 janar ka kërkuar që ky udhëzim administrativ të shfuqizohet.

“Si përfundim, duke u bazuar në kompetencat e mia si kryeministër i Republikës së Kosovës, kërkoj nga ju që të shfuqizohet në tërësi Udhëzimi Administrativ (MTI) – Nr. 09/2020 për Kontrollin dhe Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, citohet të ketë thënë Hoti përmes një shkrese dërguar MTI-së.

Shoqata e Naftëtarëve vlerëson se tentativat për plotësim ndryshimin e Udhëzimit Administrativ janë tendencioze.

“Andaj, ne si Shoqatë tentimin tuaj për të eskivuar vendimin e kryeministrit dhe në nguti të bëni një plotësim ndryshim të UA (MTI) 09/2020, udhëzim i cili është jashtë ligjor, është tendencioze dhe me pasoja të mëdha për sektorin e naftës në Kosovë”, thuhet në reagim.

Sipas tyre Komisioni ‘tenton të bëjë veprime të jashtë ligjshme duke vendosur barriera për kompanitë e naftës dhe me qëllim të krijimit të kushteve për përfitime enorme monopoliste të kompanive të caktuara’.

KALLXO.com ka raportuar se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Udhëzuesit Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës e ka paraparë krijimin e një monopoli të ri. Ky udhëzim administrativ ka paraparë që MTI-ja të kontraktojë një operator të vetëm për shënjimin (markimin) e karburanteve për një periudhë prej 5 viteve, me mundësi vazhdimi edhe për 5 vite të tjera.

Kompania që do të ketë monopolin në shenjim/markim të naftës pritet të fitojë miliona euro brenda një viti.

Nëse MTI e kontrakton kompaninë për shënjim të karburanteve, siç është paraparë në Udhëzuesit Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, atëherë do të rritet çmimi i naftës pasi parashihet që për çdo litër të shënjuar të paguhet një tarifë.

Më 29 janar, kryeministri Hoti kishte thënë që udhëzimet që nuk janë në përputhje me ligjin do të shfuqizohen, duke përfshirë edhe këtë për monopolin e naftës.

“Për udhëzimin që e keni fjalën unë e kam me datë 11 janar të zyrës ligjore, që ai udhëzim administrativ nuk është në përputhje me ligjin dhe unë kam dërguar shkresë te ministri që të anulohet ky udhëzim. Afat ka pasur deri më 21 janar, meqenëse kjo nuk ka ndodhur, unë do e fus në rend të ditës në votim në qeveri”, pati paralajmëruar Hoti.

Mirëpo ky udhëzim administrativ nuk është shfuqizuar as nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë Vesel Krasniqi e as nuk është hedhur në votim në një nga mbledhjet e qeverisë nga kryeministri Hoti.