Foto: CNBC

Autoritetet franceze: Më shumë se 10,000 ukrainas kanë arritur në Francë

Më shumë se 10,000 refugjatë ukrainas kanë kaluar në Francë që nga fillimi i pushtimit rus, tha ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin për transmetuesin francez RTL të hënën.

Duke folur për numrin e të ardhurve ukrainas ai tha: “Janë më shumë se 10,000, por ndoshta është shumë më tepër”.

Darmanin shtoi se shtetasit ukrainas mund të hyjnë në Francë pa vizë.

Shumë nga ata që mbërrinin po kalonin vetëm përmes Francës, kryesisht drejt komunitetit të madh ukrainas në Spanjë, tha ai.

“Është e sigurt që dhjetëra mijëra ukrainas do të arrijnë në Francë në ditët dhe javët në vijim”, tha Darmanin.

Me kërkesë të presidentit francez Emmanuel Macron, Franca po përgatitet gjithashtu për ndërhyrje të mundshme kibernetike ruse në zgjedhjet presidenciale të prillit, shtoi Darmanin.

Pak kontekst: Përpara zgjedhjeve presidenciale franceze të 2017-ës, stafi i fushatës së Macronit ishte në shënjestër të hakerëve të dyshuar të lidhur me Rusinë. Qeveria ruse e pati mohuar përfshirjen e saj atëbotë.

Sot është dita e 26-të e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. 

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit t’i tërheqë forcat e saja nga Ukraina./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala