Foto: Kallxo.com

Auditori: NPB-ja shkurtoi afatin për tenderin mbi 300 mijë euro për riparim të rrugëve pa arsyetim të qëndrueshëm

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) ka shkurtuar pa ndonjë arsyetim të qëndrueshëm afatin kohor për dorëzim të ofertave në tenderin mbi 300 mijë euro për riparim të rrugëve.

Sipas raportit të auditimit për vitin 2023 për NPB-në, kjo ndërmarrje publike lokale afatet kohore për tenderin “Riparimi i Rrugëve Urbane dhe Rurale” në vlerë 313 mijë euro, i ka shkurtuar për 7 ditë, nga 20 ditë sa duhet të jetë sipas ligjit, në 13 ditë.

“Afati kohor për dorëzimin e tenderëve/aplikacioneve është shkurtuar me arsyetimin se natyra e punëve ka të bëjë me intervenime urgjente” – thuhet në gjetjen e ZKA-së.

Në lidhje me këtë, sipas ZKA-së, Departamenti i Monitorimit në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), ka vlerësuar se nuk ka pasur ndonjë detyrim emergjent, duke marrë parasysh lëndën dhe natyrën e aktivitetit.

“..andaj ka rekomanduar NPB-në të veprojë sipas nenit 44 të LPP-së dhe këtë aktivitet të prokurimit ta realizojë me afate të rregullta, mirëpo ky rekomandim nuk ishte zbatuar nga ndërmarrja” – thuhet tutje në raport.

Në gjetjen e saj, Zyra Kombëtare e Auditimit ka thënë se shkurtimi i afateve pa arsyetime bindëse dhe të bazuara ligjore, mund të kufizojë konkurrencën dhe për rrjedhojë mosmarrjen e ofertave më të përshtatshme për kompaninë.

Me këtë gjetje të ZKA-së, Ndërmarrja Publike Banesore është pajtuar.

Ndërmarrja Publike Banesore ka marrë opinion të pamodifikuar. Auditori e jep këtë rekomandim kur arrin në përfundimin se Pasqyrat Financiare janë në përputhje me standardet.

Raportin e plotë të auditimit për NPB-në për vitin 2023 mund ta gjeni KËTU.