Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Auditori: Komuna e Prishtinës dha subvencione për OJQ pa shpallje publike
Komuna e Prishtinës gjatë vitit 2022 ka subvencionuar katër organizata joqeveritare për të cilat nuk ka kryer procedurat e shpalljes publike por vetëm janë zgjedhur në bazë të vendimeve të Kuvendit Komunal.
Sipas nenit 2.1 të Rregullores Mbi kriteret, standardet e financimit publik të OJQ-ve parashihet që financimi i projekteve dhe programeve të OJQ-ve bëhet sipas një thirrje publike duke i plotësuar kriteret e Rregullores.
Sipas raportit të Auditorit, shuma e përfituar e këtyre katër përfituesve të subvencioneve ishte 143 mijë euro.
Përveç kësaj, Auditori ka gjetur se për një OJQ përfituese ishin dhënë tri herë subvencione brenda vitit, ndërsa për dy organizata tjera ishin dhënë subvencione dy herë brenda vitit. Neni 6 pika 6.2 e Rregullores së Komunës përcakton se përfituesit fizik apo juridik mund të përfitojnë subvencione vetëm një herë brenda vitit.
Krahas kësaj raporti i Auditorit thekson se përfituese ishte edhe “Kuzhina Qendrore” në vlerë 30 mijë euro, mirëpo përfituesi nuk kishte hartuar raporte kthyese financiare dhe narrative në lidhje me shfrytëzimin e këtyre fondeve.
Auditori ka gjetur se kjo ka ndodhur për shkak të mungesave të kontrolleve adekuate për të zbatuar kriteret sipas kërkesave ligjore.
“Subvencionimi i OJQ-ve vetëm me vendime të Kuvendit Komunal, pa bërë thirrje publike përjashton konkurrencën, transparencën si dhe ndikon në trajtim jo të barabartë të OJQ-ve. Po ashtu, ndarja e subvencioneve për personat juridik duke mos respektuar kriteret e Rregullores së brendshme ndikon në ndarjen jo racionale dhe mundësi më të vogla për përfituesit tjerë” – thuhet në raportin e Auditorit të vitit 2022 për Komunën e Prishtinës.
Auditori ka rekomanduar se kryetari duhet të sigurojë se me rastin e subvencionimit të OJQ-ve të respektohen kërkesat e Rregullores, po ashtu që mbështetjta financiare të bëhet me thirrje publike sipas kritereve të përcaktuara. Po ashtu të kërkohen raporte kthyese financiare dhe narrative për përfituesit.
Raportin e plotë për Komunën e Prishtinës, të Zyrës Kombëtare të Auditorit mund ta lexoni në këtë LINK