Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu duke ecur në shtratin e rregulluar të lumit Llap // Foto: Facebook

Auditori: Komuna e Podujevës eliminoi kompaninë me ofertën më të lirë në tender

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për Komunën e Podujevës ka gjetur se qeverisja që udhëhiqej nga Agim Veliu përgjatë vitit 2019 kishte dhënë një tender për një kompani, ani pse ajo nuk e kishte ofertën më të ulët kur kishte aplikuar.

Kështu, oferta e cila ishte më e shtrenjtë për 75 mijë euro doli fituese e tenderit ndërsa ajo që ofertoi më lirë nuk fitoi.

“Komuna për ndërtimin e trotuareve nëpër disa fshatra Llot 2, kishte lidhur kontratë më datën 19.08.2019 në vlerë 331,177€, ndërsa kishte eliminuar operatorin ekonomik që kishte ofertën më të lirë me vlerë 255,447€”, thuhet në raportin e Auditorit.

Për këtë, ishin dhënë shpjegime edhe Komuna e Podujevës, por me ato arsyetime nuk është pajtuar Auditori i Përgjithshëm.

“Eliminimi ishte bërë me supozimin se ka ofertuar çmime jo normalisht të ultë, mirëpo ky supozim nuk qëndron për faktin se operatori ekonomik i eliminuar ka çmime më të shtrenjta për pozicionet e kontestuara nga komuna, pra nuk kanë qenë çmime jo normalisht të ultë”, thuhet tutje në raport.

Auditori ka shpjeguar tutje se komuna e ka vlerësuar ofertën totale.

“Gjithashtu komuna nuk ka marr parasysh shpjegimet e dorëzuara nga operatori ekonomik mbi procesin e prodhimit të elementeve të betonit nga fabrika të cilën e zotëronte apo minierën për nxjerrjen e gurit dhe përpunimin e gurit në pronësi të operatorit ekonomik të eliminuar. Komuna e kishte eliminuar ofertuesin më të lirë me arsyetimin se kishin vlerësuar totalin e ofertës dhe jo pozicionet. Ndërsa, shpjegimet nga OE i kishte kërkuar për pozicionet”, shpjegon tutje raporti i Auditorit.

Sipas këtij institucioni vlerësues, mostrajtimi i barabartë i operatorëve ekonomik, përveç që është jo ligjore, ndikon edhe në buxhetin komunal.

Gjatë muajit janar të këtij viti, KALLXO.com raportoi se një kompani i kishte fituar 27 tender në komunën që udhëhiqej nga Agim Veliu i LDK-së.

Kompania që fitoi 27 tenderë për 20 muaj në komunën e Agim Veliut

www.kallxo.com