Shkëlzen Bislimi, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Asamblisti i LVV-së: Ka shku Shukriu, ka ardh Imriu

Asamblisti nga Lëvizja Vetëvendosje në Komunën e Lipjanit, Shkëlzen Bislimi e ka krahasuar qeverisjen e ish-kryetarit të komunës, Shukri Buja (PDK) me atë të kryetarit aktual, Imri Ahmeti (LDK).

Bislimi ka kritikuar qeverisjen aktuale, në debatin “Jeta në Komunë”, ku përballë Jeta Xharrës është kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.

“Kur është ndërruar pushteti në Lipjan, qytetarët e kanë mirëpritur, por krejt cka është parë, është ndërruar vec emri i kryetarit të komunës, ka shku Shukriu, ka ardh Imriu. Metodat janë të njëjtat”, theksoi asamblisti opozitar.

Ai mes tjerash ka këkruar llogaridhënie nga kryetari i Lipjanit rreth një rruge që gjendet në qendër të qytetit dhe ende nuk ka përfunduar.

“Rruga e famshme, e përfolur shumë, katër-korsia është projekt që është premtua që do të përfundojë, edhe nuk është përfunduar. Është rrugë lokale e cila rrugë krijon shumë problem tek komunikacionit dhe është një dalje e qytetit.  Atje ku e ka bërë atë shtegun e ecjeve. Nuk e di pse ky projekt ka ngecur”, tha ai.

Sipas tij, investimet e kryetarit janë të cilësisë së dobët dhe jo të mirëmbajtura.

“Tek cilësia e dobët mund të flasim për rrugën ‘Gjakova’ që është në Vrellë të Gadimës në vitin 2017 ajo rrugë pas reshjeve të shiut,  rruga komplet asfalti ka dalur prej shtratit”, tha mes tjerash ai.

Në anën tjetër, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti tha se duhet dhënë argumente kur krahasohen mandatet e kryetarëve.

“Është mirë kur të krahasojsh një mandat të dikujt me dikë, me i dhënë argumentet ku është ngjashmëria mes ish-pushtetit dhe këtij pushteti”, tha ai.

Për rrugën me katër korsi në qytet, Ahmeti tha se është një rrugë e kontraktuar me 2 milionë e 800 e 80 mijë euro.

“Është një rrugë 24 metra e gjerë të cilën nuk e zë prona e komunës në qytet. Për ta zhvilluar atë projekt deri në fund, komunës i duhet me shpenzu dhe demolu objekte të mëdha. Unë e kam premtuar që do ta zhvilloj”, tha mes tjerash ai, duke shtuar se nuk kanë pasur njohuri paraprakisht që nuk do ta zë rrugën aty.

Sa i përket rrugës në fshatin Gadime, Ahmeti theksoi se uji ka dëmtuar rrugë edhe në fshatra të reja të Lipjanit.

“Vërshimet e mëdha i prishin edhe shpijat, ka pasur vërshime në atë kohë. Janë të paparashikuara, ka qenë reshje e madhe. Me sanimet që i kemi bërë, më nuk kemi pasur dëmtime”, tha ai.