(Foto ilustrim)

Arrestohet një burrë në Ferizaj, dyshohet për kanosje e armë pa leje

Një burrë në Ferizaj është arrestuar këtë të hënë në mbrëmje rreth orës 21:00 pasi ai ishte zënë nga policia duke ia drejtuar armën një të mituri.

Sipas Policisë së Kosovës, gjithçka ka filluar kur policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në lagjen ‘’Iliria ‘’, në rrugën ‘’Driton Islami’’ në Ferizaj një 14 vjeçar me inicialet A.S. ishte sulmuar nga një person tjetër me inicialet G.H. i moshës 38 vjeçar.

Sipas njoftimit të PK-së Policia e stacionit në Ferizaj, policët e rendit dhe policët hetues menjëherë i janë përgjigjur kësaj informate dhe kanë arritur në vendin e ngjarjes e cila ishte në proces.

“Reagimi i policisë ka qenë shumë i shpejtë, duke shmangur rrezikun e drejtpërdrejt, policët arrijnë që nga i dyshuari G.H të ia heqin nga dora armën e zjarrit, i cili e kishte të drejtuar kundrejt viktimës A.S dhe ta arrestojnë atë, ndërsa si provë materiale policia ka konfiskuar: një armë të zjarrit (pistoletë),një karikatorë me katër fishekë dhe një mjetë të mprehtë i kombinuar (dara)”- është thënë në njoftimin e PK-së.

Tutje, është bërë e ditur se i dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.

Rasti është cilësuar “Mbajtje në pronësi , kontroll, ose posedim i paautorizuar i armës dhe kanosje’’.