Arrestohet një 27-vjeçar në Vlorë, dyshohet se shiste kanabis në lokale të natës

Policia e Shtetit e Shqipërisë ka njoftuar se kanë arrestuar një 27-vjeçar me inicialet D.M. në Vlorë nën dyshimin se i njëjti shiste kanabis, kryesisht në lokale të natës.

Sipas një njoftimi për media, specialistët e seksionit për hetimin e narkotikëve në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të mega-operacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 3”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas posedonte lëndë narkotike me qëllim shitjen, kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë kapur dhe kanë arrestuar në flagrancë të dyshuarin.

Policia ka thënë se i arrestuari është shtetas grek, banues në Gjermani.

“Gjatë kontrollit në banesën ku ky shtetas qëndronte, shërbimet e Policisë gjetën doza me lëndë narkotike kanabis, të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen kryesisht në lokalet e natës, në qytetin e Vlorës” – u tha tutje.

Gjithashtu u njoftua se materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.