Foto: Ilustrim

Arrestohet gjilanasi, shpërndau artikuj ushqimorë me afat të skaduar në qendra tregtare

Një person është arrestuar nën dyshimin se i njëjti kishte shpërndarë në qendra tregtare dhe shitore me pakicë, artikuj ushqimorë me afat të skaduar.

Policia e Rajonit të Gjilanit me anë të një njoftimi kanë treguar se gjatë ditës së sotme Njësia Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion që vepron në Gjilan, përmes rrugëve operative ka pranuar një Informatë se një depo ushqimore që gjendet në rrugën “Beqir Musliu” në Gjilan, ku pronari i saj posedon dhe shpërndan artikuj ushqimor nëpër qendra tregtare dhe në shitoret me pakicë në qytetin e Gjilanit dhe më gjerë.

“Dyshimi ishte bazuar në faktin se produktet ushqimore që shpërndaheshin nga i dyshuari, dyshohej se ishin me afat të skaduar dhe se i njëjti ka ndërhyrë në afatin e skadimit të artikujve të ndryshëm. Policia e Kosovës njësiti Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion me leje të prokurorit kanë bërë një kontroll të detajuar në këtë depo”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, gjatë kontrollit, janë gjetur një sasi e konsiderueshme e artikujve të dyshuar ushqimor që kanë qenë me afat të skaduar, të cilët artikuj janë konstatuara me procesverbalin mbi inspektimin nga Drejtoria e Inspekcionit në Gjilan e më pas të njëjtit artikujt janë konfiskuar për asgjësim.

“Gjatë kontrollit kanë prezantuar edhe inspektorët e ATK-së, të cilët kanë bërë identifikimin e dokumenteve relevante. Në lidhje me veprimet e ndërmarra është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që i dyshuari të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit me prezencë të avokatit mbrojtës”, thuhet tutje në njoftim.

Pas intervistimit dhe fakteve të prezantuara, prokurori i shtetit ka nxjerr Aktvendim për ndalimin e të dyshuarit në afat për 48 orë në Qendrën e ndalimit në Gjilan.

Policia e Kosovës ka thënë se njësitet hetuese janë në fazën e grumbullimit të dëshmive shtesë që lidhen me rastin në fjalë.