Arrestohen të dyshuarit që shihen në një video duke e rrahur një person në Pejë

Katër persona janë arrestuar, tre prej tyre të mitur, pasi dyshohet se janë ata që shihen në një video duke e rrahur një person në Pejë.

KALLXO.com sot ka publikuar një video,  në të cilën shihej një grup i personave duke e rrahur një person tjetër.

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas publikimit të videos ka arritur identifikojë e më pas arrestojë të dyshuarit, ndërsa rasti ishte raportuar më 7 tetor në stacionin policor në Pejë.

“Pas angazhimeve nga hetuesit policorë në Pejë me datë 15.10.2022 është siguruar video incizimi përmes të cilit video incizim janë identifikuar dhe arrestuar katër (4) personat e dyshuar të përfshirë në ketë rast, të listuar me inicialet si në vijim: L. M. i lindur më 2003; T. M. i lindur më 2005; S. B. i lindur më 2007; E. A. i lindur më 2008” – ka bërë të ditur Policia.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit tre prej të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit, ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt.

VIDEO – Rrahje brutale në Pejë