Ilustrim

Arrestohen dy persona pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit përfituan mbi 90 mijë euro

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, respektivisht Sektori për Hetime Financiare më datën 23.05.2024 ka zbatuar urdhrin e Gjykatës së Prishtinës, me ç’rast janë bastisur dy lokacione, një në Prishtinë dhe një në Gjakovë.

Sipas njoftimit të Policisë, në këtë rast dyshohet se personat e dyshuar D.D. (viti i lindjes 1977), F.Z. (1981), SH.H. (1979), dhe H.H. (1965), në bashkëkryerje përmes falsifikimit të dokumenteve, krijimit të kontratave të falsifikuara, mashtrimit dhe prezantimeve të rreme si persona zyrtarë kanë mashtruar viktimën të cilës në emër të shitjes së një banese në Prishtinë, i kanë marrë shumën e parave në vlerën mbi 90 mijë euro.

Personat e dyshuar D.D dhe F.Z. me urdhër të prokurorit janë intervistuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë, kurse personat SH.H. dhe H.H. jan vendosur në kërkim policor pasi që për të njëjtit nuk është arritur të sigurohet prezenca për intervistim.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe arrestimin e të gjithë personave që kryejnë apo tentojnë kryerjen e veprave penale.