Foto: Ilustrim

Arrestohen dy ish-zyrtarë të gjendjes civile në Fushë Kosovë dhe Prishtinë

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka arrestuar dy persona të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në rastin e parë personi i arrestuar është ish-zyrtar i gjendje civile në Fushë Kosovë – tani i pensionuar. Ai dyshohet se gjatë punës së tij, në kundërshtim me ligjet dhe aktet nënligjore, pa u vërtetuar dhe verifikuar, i ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile personat e dyshuar, të cilët më pastaj kanë arritur të pajisen me dokumente identifikuese si letërnjoftim dhe pasaportë të RKS-së, me të dhëna të pavërteta.

Ndërsa personi tjetër është poashtu, ish-zyrtar i gjendje civile në Prishtinë -tani i pensionuar, i cili u arrestua nën dyshimet vijuese se gjatë punës së tij, në kundërshtim me ligjet dhe aktet nënligjore, në dy raste me persona të ndryshëm, pa u vërtetuar dhe verifikuar, në kundërshtim me të dhënat nga libri amzë i të lindurve, i ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile personat e dyshuar , të cilët më pastaj kanë arritur të pajisen me dokumente identifikuese si letërnjoftim dhe pasaportë të RKS-së, me të dhëna të pavërteta.

Sipas komunikatës së Policisë, me aktvendim të prokurorit të shtetit, dy personave të arrestuar iu caktohet masa e ndalimit prej 48 orëve, për procedura të mëtejme.