Arrestimi i Haki Rugovës ngjall debat VV- LDK në Kuvend

Mefail Bajqinovci nga Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar ndaj konferencave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me rastin e arrestimit të Haki Rugovës.

Bajqinovci ka akuzuar LDK-në se ka përdorur sulm brutal kundër sistemit të drejtësisë.

“Ishim dëshmitarë kur kryetari i LDK-së Isa Mustafa organizoi konferencë për arrestimin e nënkryetarit të LDK. Në dy minutat e asaj konference theksoi dy çështje e para tha se sistemi prokurorial duhet të qëndrojë jashtë politikës. E dyta kërkoi që rasti i Haki Rugovës të trajtohet nga Prokuroria Speciale e jo nga Prokuroria në Pejë që është duke e trajtu rastin. Në minutin e parë të kësaj konference vërehet sulm brutal kundër sistemit të drejtësisë”, tha ai.

Bajqinovci tha se për LVV është e pa pranueshme një ndërhyrje e tillë.

“Pse LDK këkon që ky rast të shkoj a ndoshta pse ish këshilltari i një minister të LDK e udhëheqë sot atë prokurori a si është puna…. Kështu nuk mund të funksionoj sistemi i së drejtës. Ky system është i Isa mustafës dhe është i vjetër po aq sa Isa dhe është i rrezikshëm aq shumë sa shefat e ktynehershit të Isës ata të paraluftës…. Pensionistat e LDK-së janë pjesa më e errët e LDK-së”, tha Bajqinovci.

Deputeti i LVV-së iu drejtua edhe kryeminsitrit Avdullah Hoti, duke thënë se në pozitën ku është, është falë Isa Mustafës e Haki Rugovës.

“Haki Rugova sot nuk guxon me ble as buk dhe nuk guxon me ju shërby as qytetarëve të Istogut. E ai të ka sjell ty këtu në sajë të vullnetit të Isa Mustafës dhe Haki Rugovës e ke zënë karrigën e kryeministrit”, tha ai duke kërkuar që Hoti të japë dorëheqje dhe të shkohet në zgjedhje.

E kundërpërgjigja erdhi menjëherë nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi, duke e cilësuar Bajqinovcin të emocionuar.

Gashi tha se institucionet e drejtësisë janë të pavarura.

“Institucionet e drejtësisë dhe shteti i së drejtës janë institucione të pavarura. Instrumentalizimi politik qoftë ai në nivel Kuvendi apo nivele tjera është i paarsyeshëm. Ne duhet të angazhohemi që shteti i së drejtës të funksonojë. Jo shteti i dhunës verbale, i deklarimit të dhunshëm, i pa arsyeshëm, i motivuar politikisht dhe të nxitun nga interesa ditore apo klanore”, tha Gashi.

Gashi shtoi se situata politike në të cilën kalon vendi duhet të na arsyetoj dhe argumentoj veprimet të cilat i bëjmë.

Gashi kërkoi që mos të abuzohet me moshën pa asnjë etikë dhe most ë abuzohet me përkatësinë politike pa arsyetim.

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova ishte arrestuar me urdhër të prokurorisë. Rugova është edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Përveç Kryetarit të Istogut është ndaluar edhe një drejtor dhe një zyrtar i Komunës së Istogut. Sipas burimeve të KALLXO.com të njëjtit janë ndaluar nëm dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konfliktit të interesit dhe falsifikimit të dokumentit.

Arrestohet Kryetari i Istogut, Haki Rugova

Ndryshe, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, për arrestimin e kryetarit të Istogut, Haki Rugovës, kishte thënë se është bërë me qëllime politike, për ta dëmtuar atë dhe partinë që ata e drejtojnë.

Mustafa: Arrestimi i Haki Rugovës, për ta dëmtuar atë dhe LDK-në