Qendra Shëndetësore Gushterica e Poshtme në Kosovë. Foto: REL

Arrestime në Serbi për receta false në Serbi dhe Kosovë

Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ka njoftuar se janë arrestuar pesë mjekë dhe farmacistë nën dyshimin se kanë keqpërdorur shpërndarjen e barnave në Serbi dhe Kosovë.

Sipas njoftimit të lëshuar më 18 tetor, ata dyshohet se u kanë dhënë ilaçe të hormoneve të rritjes pacientëve që nuk kanë nevojë për to, dhe me këtë i kanë shkaktuar më shumë se 680 mijë euro dëm Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Republikës së Serbisë.

Institucionet shëndetësore në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë punojnë nën sistemin serb dhe serbët e Kosovës kanë sigurim shëndetësor serb, kështu që ata përdorin edhe përfitimet e barnave pa pagesë.

Sipas njoftimit, pas procedurës para hetimore në territorin e Serbisë janë arrestuar Z.S., O.Sh., M.J., S.Z. dhe S.Z., si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të komplotit, shpërdorim të pozitës zyrtare dhe shpërdorim të pozitës së personit përgjegjës në periudhën nga nëntori 2018 deri në korrik 2021.

Thuhet se gjashtë të dyshuar nga dy grupe të lidhura kriminale e kanë pranuar fajësinë dhe kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë dhe se Gjykata e ka pranuar.

Prokuroria shtoi se një grup përbëhej nga katër mjekë të Shtëpisë Shëndetësore të Gushtericës së Poshtme, dhe shtatë farmacistë të tjerë nga Beogradi, Kragujevci dhe Mitrovica e Sremit.

“Grupi i parë jepte receta pa ekzaminime të mirëfillta, për t’ua dërguar më pas anëtarëve të grupit të dytë, të cilët i merrnin barnat në barnatore pa dijeninë e pacientëve për të cilët janë përshkruar receta”, njoftoi Prokuroria.

Siç thuhet në ueb faqen e Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë, Qendra Shëndetësore Gushterica e Poshtme ofron shërbime për banorët e Lipjanit, Gushtericës së Epërme, Dobrotinit, Livagjës, Janjevës, Lepinës, Robocit, Suhodollit, Grackë e Vjetër. Që nga dhjetori 2000, ajo ka mbuluar një territor me 10,000 banorë dhe ofron afërsisht 124,000 shërbime në vit./REL