Arrest shtëpiak për edukatoret nga çerdhja ku dyshohet se u rrah fëmija

T.G dhe Sh.A, dy edukatoret nga çerdhja “Cambridge Kids” do të qëndrojnë në arrest shtëpiak për një muaj rresht.

Kështu ka vendosur Gjykata e Prishtinës, edhe pse Prokuroria kishte kërkuar paraburgim për të dyshuarat.

Këtë të martë Policia arrestoi një punonjëse të çerdhes private “Cambridge Kids” pasi që e njëjta shihej në një video- incizim duke rrahur një fëmijë 16 muajsh.

Çerdhja private me anë të një reagimi ka kërkuar falje ndërsa kishte shtuar se kishin larguar nga puna punonjësen që shihej në pamjet e publikuara nga nëna e fëmijës në rrjetin social “Facebook”.

Policia e Kosovës mbrëmë ka arrestuar edhe një të dyshuar lidhur me rastin e keqtrajtimit të një fëmijë në një çerdhe private në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se e dyshuara e dytë është arrestuar për moslajmërim të keqtrajtimit.

Njësitet policore të stacionit Jugu në Prishtinë, sot kanë arrestuar një person tjetër lidhur me rastin e keqtrajtimit të fëmijës së raportuar me datën 10  shkurt 2020. E dyshuara është arrestuar për mosraportim të rastit. Pas intervistimit e dyshuara Sh.A. me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka thënë Ahmeti për KALLXO.com

KALLXO.com ka raportuar se çerdhja private “Cambridge Kids” nuk kishte pasur licencë, e në anën tjetër e njëjta çerdhe është mbyllur nga ana e inspektoratit.

Policia po heton pamjet që shfaqin dhunë ndaj fëmijës në një çerdhe private