Reagon çerdhja, e përjashton edukatoren që pretendohet se rrahu fëmijën

Çerdhja private “Cambridge Kids” ka përjashtuar nga puna edukatoren, e cila pretendohet se e ka rrahur një fëmijë që ishte nën përkujdesjen e saj.

Reagimi i çerdhes vjen pas publikimit të pamjeve nga një nënë, e cila pretendon se fëmija i saj u godit nga edukatorja pasi fëmija nuk dëshironte të ulej në karrocë.

“Gjatë ditës së djeshme, njëri nga prindërit ishte duke parë kamerat në momentin kur edukatorja e merr me forcë dhe në mënyrë joprofesionale e vendos fëmijën e tij në karrocë”, thuhet në njoftim.

“Me të parë skenën përgjegjësit e ndërrimit menjëherë kanë reaguar duke e përjashtuar nga puna punëtoren ne fjalë, ndërsa prindit i është kërkuar falje dhe i është lejuar qasje në të gjitha incizimet në klasën e fëmijës së tij, në mënyrë që të shoh se si është trajtuar fëmija i tij gjatë gjithë qëndrimit në çerdhen tonë”, vazhdon njoftimi i çerdhes i publikuar në Facebook.

Tutje thuhet se menaxhmenti i kopshtit shpreh keqardhjen dhe indinjatën me të thellë me sjelljen e edukatores në fjalë.

“Sigurojmë prindin në fjalë dhe të gjithë juve se sjellje të tilla nuk do të tolerohen në kopshtin tonë. Ky incident na ka goditur më së shumti neve. Andaj kërkojmë falje deri në përulje për një incident të tillë. Në ndërkohë që kërkojmë mirëkuptimin dhe besimin tuaj prindëror që të tejkalojmë këtë rast të izoluar dhe të pa precedent”, thuhet në fund të njoftimit.

KALLXO.com raportoi në lidhje me rastin.

Policia po heton pamjet që shfaqin dhunë ndaj fëmijës në një çerdhe private

.