Armend Zemaj tregon se a priten masa të reja të izolimit

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka njoftuar se mund të merren masa të reja nga ana e Qeverisë, varësisht se si shkon tutje situata epidemiologjike në vend.

Masat e reja të Qeverisë për t’i ndarë qytetet në tri zona në raport me shkallën e rrezikshmërisë së situatës kanë ngritur diskutime të shumta në vend.

Ministri Zemaj tha se për secilën masë që e marrin janë propozime nga bordi këshillëdhënës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

“Në masat dhe mbikëqyrjen e masave ndaj pandemisë dhe ecjes më tutje, krejt është varësisht situatës epidemiologjike. Sepse unë jam i obliguar që të marrë masa varësisht prej propozimeve që marrë nga Instituti dhe ekspertët dhe bordi këshillëdhënës që e kam krijuar”, tha Zemaj.

Tutje Zemaj deklaroi se prej institucioneve të fundit që mund të mbyllen janë shkollat dhe çerdhet.

“Shkollat dhe çerdhet do të vazhdojnë të mbeten të hapura. Do të jenë prej të fundit që munden me u mbyllë”, tha ai.

 

Zemaj foli edhe kërkesat e komunave të Kosovës për t’u mbështetur financiarisht në mënyrë që të gjejnë para për të punësuar arsimtarë dhe mësues, si zëvendësuar të atyre që lirohen nga puna për shkak të sëmundjeve kronike që kanë.

Zemaj tha se këtë çështje është duke e diskutuar me kryeministrin Hoti dhe pritet të definohet.