Deputeti Armend Zemaj - Foto: Facebook/ArmendZemaj

Armend Zemaj: Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Amerikës nuk duhet të përkeqësohen

Deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, tha se Qeveria duhet të reflektojë sa më shpejt në rrethanën e krijuar dhe se tarifa nuk duhet t’i cenojë marrëdhëniet më ShBA-në.

“Jo rrallë herë Kosova  është përballur me politika selektive të veprimeve sidomos të politikanëve që në rrethana të caktuara kanë anashkaluar në thelb interesin strategjik të Kosovës, interesin si ideologji që rruga integruese kalon vetëm përmes Washingtonit dhe Brukselit e jo Moskës e Pekinit. Politika refuzuese ndaj partnerëve ndërkombëtarë nuk ka ardhur si platformë nacionale e mbrojtjes së interesit por më shumë si polarizim institucionesh në trekëndëshin institucional Qeveri, Presidencë, Kuvend nga të cilat janë involvuar edhe subjekte politike, marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën nuk duhet të përkeqësohen”, u shpreh Zemaj.

Tutje Zemaj akuzoi Qeverinë e kaluar për ikje nga dialogu si dhe faktin që Serbia gjatë asaj periudhe kishte vazhduar me lobimin e saj kundër Kosovës.

“Dy vite të qeverisë së kaluar kanë qenë pa ndonjë rezultat mbi dialogun Kosovë- Serbi, ikja nga ky proces ka shkaktuar vakuum institucional. E gjitha kjo ka ndodhur për teke të interesave personale dhe zhvatje të buxhetit. Gjatë asaj kohe Serbia vazhdoi me fushatën e saj kundër Kosovës duke tërhequr njohje”, tha Zemaj.

Ai shtoi se një gjë e tillë duhet të na kishte dhënë mësim nga tentimi për të zhbërë Dhomat Speciale se nuk mund të luajmë me ShBA-në.

“Edhe pse dështimi me dhomat e specializuara duhet të na kishte mbushur mend se nuk mund të luash më ShBA-të dhe Bashkimin Evropian, kjo gjë po tentohet prapë dhe nuk i dihet epilogu”, shtoi Zemaj.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të deputetëve të PDK-së dhe deputetëve të tjerë.

Në këtë seancë po diskutohet për zhvillimet e fundit dhe reagimet e zyrtarëve të ShBA-së për mosheqjen e tarifës 100 për qind nga ana e Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës.