Armend Zemaj komenton rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, më i dobëti në historinë e partisë

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se në zgjedhjet e 14 shkurtit nuk u dha votë për qeverisje por për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ai në emisionin “Kallxo Pernime” tha se nuk ka ndonjë analizë më të thellë se përse LDK përfundoi në vendin e tretë.

“Nuk kam ndonjë analizë pse LDK ka mbetur në pozitën e tretë, nuk jam marrë me politikë shumë gjatë kësaj kohe. Mendoj që qytetarët e vlerësojnë punën e secilit njëri. LDK nuk ka pasur shumë vota, prandaj nuk ka pasur as kryeministri, pra është pëgjysmuar nga hera e kaluar. Kjo nuk ka qenë votë për vlerësim të qeverisë por për vlerësim të Lidhjes Demokratike të Kosovës,” ka thënë Zemaj.

Tutje sipas Zemaj 15 deputetët e zgjedhur të LDK-së e kanë barrën e reformimit dhe të bërit opozitë.

“Këta 15 të zgjedhurit tani e kanë jo vetëm barrën e reformimit por edhe të bërjes së opozitës, janë me përvojë edhe pse shumica të rinj në moshë e që janë kompozim i mirë për rikthim të fuqishëm të LDK-së”, ka shtuar tutje Zemaj.

Sot janë publikuar rezultatet përfundimtare dhe LDK ka marrë rezultatin më të dobët në historinë e zgjedhjeve në Kosovë.

Në mesin e 15 deputetëve është edhe ministri Zemaj.