Anulohet tenderi 110 milionësh i Pal Lekajt

Kontrata për ndërtimin e autostradës Banullë – Dheu i Bardhë që ishte iniciuar në kohën e ministrit Pal Lekaj është anuluar.

Ky anulim është bërë me vendim të sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, Izedin Bytyqi.

“Nga shkresat e lëndës vërehet se Deklarata e Disponueshmerisë së mjeteve e nënshkruar nga Zyrtari Kryesor Financiar nuk ka mbulesë buxhetore, sepse me këtë projekt nuk ka pasur mbulesë buxhetore në datën e nënshkrimit për vitin buxhetor 2019, në ndërkohë që buxheti i vitit 2020, ende nuk është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe më shumë është bazuar në kërkesën buxhetore e cila nuk krijon siguri se do të aprovohet nga Ministria e Financave, Qeveria dhe në fund Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në shkresën zyrtare të Ministrisë.

Lidhur me këtë ka njoftuar edhe Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, i cili tha se projekti i autostradës do të vazhdojë.

“Qeveria e re i siguron banorët e Anamoravës se projekti i autostradës Prishtinë-Gjilan vazhdon. Është prioritet i programit tonë. Javën që vjen do t’i vizitoj punimet e deritanishme që duket se kanë mbetur prapa në kohë. Do t’i japim ritëm të ri”, shkroi Abdixhiku.

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku në një konferencë për media javë më parë ka thënë se kanë filluar procedurat për anulimin e tenderit 110.6 milionë euro për ndërtimin e autostradës Banullë – Dheu i Bardhë që ishte iniciuar në kohën e ministrit Pal Lekaj.

Këtë vendim, Abdixhiku e mbështet në dy opinione që ka pranuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik dhe nga Ministria e Financave.

“Njëri nga KRPP dhe tjetri nga ministria e Financave e qeverisë së kaluar. Të dy opinionin theksojnë qartë se pa ndarje buxhetore nuk mund të shpallen thirrje që krijojnë obligime financiare për Republikën e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

KALLXO.com ka raportuar javë më parë se tenderi është shpallur në muajin janar nga ministria e Pal Lekajt, në kohën kur Kosova ishte pa qeveri dhe pa buxhet të miratuar për vitin 2020.

KALLXO.com kishte gjetur se projekti në fjalë nuk ishte pjesë e buxhetit të miratuar të vitit 2019, e as nuk ishte i parashikuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021, në të cilën parashihen projektet për periudhën 3 vjeçare. Për më tepër, tenderi ishte hapur në fillim të vitit 2020, në kohën kur nuk kishte buxhet të miratuar, por shteti është duke funksionuar me 1/12 e buxhetit të vitit 2019.

Abdixhiku në konferencën për media ka thënë se tenderi i shpallur në janar ka implikime enorme të buxhetit.

“Bazuar mbi kompetenca, kam kërkuar nga organet të ministrisë që urgjentisht dhe pa vonesa të shikojnë procedurat për anulimin e tenderit në fjalë. Nga sot kam iniciuar proceduar ligjore për anulimin e tenderit”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se inicimi i këtij tenderi rrezikonte që qeveria të obligohej të paguante penalti.

“Futja e shtetit në detyrime financiare pa buxhet të miratuar, përvec që është akt joligjor hapë mundësi për penalizime financiare të ngjashme që Kosova i ka pasur në vitet e shkuara”, ka thënë ministri.

Ministri Abdixhiku ka thënë se projekti në fjalë do të jetë prioritet i qeverisë,  dhe se është pjesë e programit qeverisës por që thirrja për tenderim mund të bëhet vetëm pasi të jetë miratuar buxheti i vitit 2020.

Më tej, Abdixhiku ka thënë se që në ditën e parë si ministër është venë në dijeni rreth këtij tenderi nga Ministria e Financave e qeverisë kaluar.

“Të dyja tregojnë qartë se pa ndarje të buxhetit nuk mund të shpallen thirrje që krijojnë obligime financiare. Gjithashtu është e padëgjuar që një qeveri në ikje pa buxhet të aprovuar të fus në obligime financiare qeverinë e ardhme”, ka thënë Abdixhiku.

Po ashtu, ministri Abdixhiku ka shtuar se Qeveria e tanishme do t’i shqyrtojë të gjitha vendimet e marra nga Qeveria e kaluar që nuk kanë pasur bazë ligjore.