Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Angazhon inxhinierin nga Kina për të punuar në Kosovë, por ambasada nuk po e pajisë me vizë

Kompania ‘Lirimi Group’ është një kompani private e ndërtimit, me bazë në komunën e Malishevës.

Pronari i saj me emrin Hashim Thaçi, në vitin e fundit ka investuar dhe ka filluar të merret edhe me prodhimin e produkteve të letrës.

Për prodhimin e tyre, Thaçi ka blerë disa makineri në Kinë. Ndërsa për futjen në funksion të linjës për prodhimin e letrës, ai ka angazhuar një inxhinier të makinerisë nga Kina.

Por që shtetasit kinez, me emrin Zhang Dingyou i ka dalë problem me procedurat e aplikimit për vizë për në Kosovë.

Pronari i ‘Lirimi Group’, Hashim Thaçi, për KALLXO.com ka thënë se shtetasi kinez që nga data 12 dhjetor gjendet në Turqi, pasi Ambasada e Kosovës atje nuk po ia lëshon vizën.

“Shtetasi kinez që nga data 12 dhjetor gjendet i bllokuar në Turqi, pasi që nuk ka marrë vizën për në Kosovë. Ambasada dhe Ministria e Punëve të Jashtme po arsyetohen se nuk është duku punuar sistemi”, ka thënë Thaçi për KALLXO.com.

Në bazë të komunikimeve që i ka pasur shtetasi kinez me Ambasadën në Turqi, atij i është thënë se sistemi do të rregullohet brenda javës, por që sipas Thaçit kjo nuk ka ndodhur.

“Kjo procedurë e pakuptimtë mua është duke ma dëmtuar biznesin, sepse makineritë nuk po mundem me i fut në funksion. Plus tjetra është se unë duhet ta paguaj shtetasin kinez për qëndrimin në Turqi, duke ia paguar fjetjen dhe të gjitha”, thotë Thaçi.

KALLXO.com ka kontaktuar Ambasadën e Kosovës në Turqi për të kuptuar rreth problemit për lëshimin e vizave për të huajt, për në Kosovë. Deri në momentin e publikimit të shkrimit, Ambasada nuk ka kthyer përgjigje.

Gjithashtu, edhe Ministria e Punëve të Jashtme është kontaktuar nga KALLXO.com, por që të njëjtit po ashtu nuk kanë kthyer përgjigje.