Angazhimi i 85 inspektorëve shtesë, ja kur u hap konkursi dhe sa do të jetë paga e tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot anuloi një vizitë në Austri e mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës, derisa në konferencë për media pas këtij takimi, deklaroi se do të angazhohen 85 inspektorë shtesë në mënyrë që të kontrollohet gjendja me COVID-19.

Për këta 85 inspektorë që do të angazhohen në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Ministria e Shëndetësisë, kishte hapur konkurs në muajin gusht, më saktësisht më 20 gusht.

Konkursi i hapur nga Ministria e Shëndetësisë ka përfshirë inspektorë sanitar në komunat si Prishtinë, Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë.

Por, angazhimi i këtyre inspektorëve do të jetë me kohë të caktuar, 3 muaj me mundësi vazhdimi edhe për 3 muaj.

Këta inspektorë do të kenë pagën prej 520 euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se nesër do të bëhen publike emrat e personave që do të rekrutohen si inspektorë sanitar, derisa shtoi se afati i ankesave do të jetë 3 ditë.

Në këtë konkurs të Ministrisë po ashtu është kërkuar edhe staf mbështetës për spitalet rajonale.

Pozitat e lira të punës që do të mbulohen me këtë konkurs janë infermierë, ndihmës infermier, inspektorë sanitarë, laborant, teknik i rëntgenit dhe staf teknik.

KALLXO.com kishte raportuar 5 ditë më parë se ky konkurs sipas udhëheqësve të Spitaleve, nuk i përmbush nevojat e plota për luftën me pandeminë COVID-19.

Konkursi i MSh-së për staf mbështetës nuk i përmbushë nevojat e plota të Spitaleve Rajonale në luftën kundër COVID-19

Të dielën, më 29 gusht, Kosova regjistroi 36 viktima, që është numri më i lartë i viktimave të regjistruara brenda një dite, që prej shfaqjes së pandemisë ne mars të vitit 2020.

Në Kosovë administrohen vaksinat Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, të cilat jepen përmes dy dozave.

Sipas ekspertëve shëndetësorë, një person konsiderohet plotësisht i vaksinuar dy javë pasi të ketë marrë dozën e dytë të vaksinës.

Varianti Delta – që është variant më ngjitës i virusit – është bërë variant dominues edhe në Kosovë.

Sipas një studimi të publikuar në The New England Journal of Medicine, personat e vaksinuar nuk janë plotësisht imunë nga infeksionit me koronavirus, por edhe nëse infektohen, ata kanë të ngjarë të përjetojnë simptoma të buta ose aspak simptoma.

Qendra amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) thotë se disa të dhëna tregojnë se te personat e pavaksinuar, varianti Delta mund të shkaktojë më shumë sëmundje të rënda, sesa variantet paraprake.