Amerikanët të lodhur nga maskat

Administrata e presidentit të ShBA-ve, Joe Biden ka njoftuar të mërkurën se po bën plane për një fazë më lehtësuese në raport me kufizimet në nivel kombëtar.

Por shtetet që e kanë humbur durimin, mes tyre Nju Jorku, e kanë bërë të qartë se nuk do të presin Uashingtonin të marrë vendim për lehtësim të masave, raporton AP.

Guvernatorja Kathy Hochul njoftoi se Nju Jorku do t’i japë fund urdhrit mbi vendosjen e detyruar të maskave në shumicën e ambienteve publike të brendshme, por ai do të vazhdojë të jetë në fuqi për shkollat.

Autoritetet e shtetit të Ilinoisit njoftuan të njëjtën gjë.

Në fillim të kësaj jave, edhe shtete tjera bënë publike planet për t’iu bashkuar atyre shteteve që kanë hequr ose nuk kanë pasur kurrë urdhra në fuqi, për mbajtjen e maskave në shkolla.

Presidenti Biden, i cili ka premtuar prej kohësh të ndjekë shkencën në përballjen me pandeminë, duket ‘i rrethuar’, ndërsa pret udhëzime të reja nga zyrtarët federalë të shëndetësisë, të cilët deri më tani vazhdojnë të rekomandojnë që pothuajse të gjithë amerikanët të mbajnë maska në shumicën e ambienteve të brendshme.

“Kjo gjë nuk lëviz me shpejtësinë e politikës, por me shpejtësinë e të dhënave”, tha sekretarja e Shtypit Jen Psaki duke i dalë në mbrojtje presidentit Biden, porse pranoi se njerëzit janë të lodhur nga maskat.

Ajo shtoi se administrata po ndjek këshillat e ekspertëve të cilët siç tha, mbështeten tek provat shkencore.

Edhe aleatët e administratës kanë argumentuar se Presidenti Biden duhet të paktën të përcaktojë një udhërrëfyes për t’iu kthyer normalitetit.

Ndihmësit e tij thonë se ai ka pasur mëdyshje, pjesërisht për shkak të një deklarate të tij verën e kaluar kur njoftoi “pavarësinë nga virusi”, gjatë një fjalimi me rastin e ditës së pavarësisë së vendit, çka rezultoi e parakohshme përballë variantit Delta e më pas atij Omicron.

Megjithatë, tashmë rastet dhe shtrimet në spital si pasojë e COVID-19 kanë rënë ndjeshëm, pasi shënuan kulmin në fillim të këtij viti, mes përhapjes së variantit shumë të transmetueshëm atij Omicron.

Tashmë pjesa dërrmuese e amerikanëve janë vaksinuar dhe kanë marrë përforcues që garanton më shumë efektivitet ndaj virusit.

Megjithatë, më shumë se 2,000 njerëz po vdesin çdo ditë në vend si pasojë e COVID-it dhe brenda administratës ka zëra kundër heqjes dorë nga kufizimet ndërsa numri i vdekjeve vazhdon të jetë i lartë./Euronews.al