Gjendja e ambulancës në fshatin Bardh i Vogël, Fushë Kosovë FOTO Nëntor 2020

Ambulancat e fshatrave të Fushë-Kosovës shndërrohen në rrezik për qytetarët

I ftuar në emisionin “Jeta në Komunë”, kryetari i Fushë-Kosovës, Burim Berisha, është përballur me gjetjet e hulumtuesve të KALLXO.com në lidhje me gjendjen e ambulancave në Bardh të Vogël, Henc dhe Graboc.

Komuna e Fushë-Kosovës ka investuar në ndërtimin e ambulancave nëpër fshatra por disa prej tyre janë demoluar pasi autoritetet komunale nuk arritën të sigurojnë staf për të punuar në këto ambiente.

Ambulanca në fshatin Bardh i Vogël është bërë e rrezikshme për banorët. Nga fotot mund të vërehen produktet mjekësore të hedhura në tokë.

Gjendja e ambulancës në fshatin Bardh i Vogël, Fushë Kosovë
FOTO Nëntor 2020

Edhe ambulancat në Henc dhe Graboc janë jashtë funksionit.

Ambulanca në fshatin Graboc, Fushë Kosovë
FOTO Nëntor 2020
Ambulanca në fshatin Henc, Fushë Kosovë, Nëntor 2020

I pyetur në lidhje me këto, kryetari Berisha ka thënë se nuk është bërë planifikimi i duhur kur këto ambulanca janë  ndërtuar. Ai shtoi se nuk kanë një plan konkret për to por që ekziston opsioni që ato të rrënohen dhe të ndërtohen të reja.

“Atëherë kur janë bo janë bërë pa planifikim të duhur edhe nuk dimë se çfarë të bëjmë më to. Po, unë i kam bërë, në mandatin tim janë ndërtuar këto. Ndoshta duhet të rrënohen dhe të ndërtohen të reja”, tha ai.

Ndërsa asamblisti i Lëvizjës Vetëvendosje, Durim Hajra, tha se ndërtimi i këtyre ambulancave “ është mundësi me përfitu ma shumë – kjo është strategjia”.