Yuri Kim, ambasadore e SHBA-ve në Shqipëri

Ambasadorja amerikane Yuri Kim: Të zbatohet ligji, të ndalohet shitblerja e votës

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të  Amerikës në Shqipëri Yuri Kim ka bërë thirrje që të zbatohet ligji dhe Kodi Zgjedhor për të ndaluar shitblerjen e votës.

Përmes një postimi në rrjetin social në Instagram, ambasadorja Kim shkruan se “është thelbësore që të gjithë të respektojnë ligjet për zgjedhjet, si dhe normat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave”, duke e shoqëruar postimin me kartën e saj si vëzhguese.

“Shpresojmë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është thelbësore që të gjithë të respektojnë ligjet për zgjedhjet, si dhe normat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave.

Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregullat në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Zyrtarët e ambasadës po i bashkohen institucioneve të tjera ndërkombëtare në vëzhgimin e zgjedhjeve në të gjithë vendin”, ambasadorja Yuri Kim/RTK/.