Ambasadori Rohde mirëpret rizgjedhjen e Gresa Caka-Nimanit në postin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka uruar Gresa Caka-Nimanin për rizgjedhjen e saj në postin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese.

Rohde ka thënë se Gjykata Kushtetuese është një gardian i domosdoshëm i kushtetutshmërisë së Kosovës.

 

Gresa Caka-Nimani është rizgjedhur kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuesja ka njoftuar se në seancën administrative të mbajtur më 05.06.2024, gjyqtarët e kësaj Gjykate e kanë rizgjedhur kryetaren aktuale edhe për një mandat të dytë.

Mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese është 3-vjeçar, mirëpo mandati i saj si gjyqtare përfundon më 30.12.2024.

Herën e parë, Caka-Nimani është zgjedhur kryetare e Gjykatës Kushtetuese më 17.05.2021.

Deri në emërimin e saj në Gjykatën Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani ka shërbyer si këshilltare e lartë ligjore dhe udhëheqëse e ekipit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në Agjencinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID).

Në biografinë e saj të postuar në ueb faqen e Gjykatës Kushtetuese thuhet se Gresa Caka-Nimani është dekoruar me një numër dekoratash dhe mirënjohjesh.

Ndër të tjera, thuhet se ajo është vlerësuar me pesë “Çmime të Merituara Nderi” nga Departamenti amerikan i Shtetit, për kontribut të vlefshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe me çmimin “Michael K. White Memorial Award” për kontribut të veçantë në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.