Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt

Ambasadori gjerman mirëpret emërimin e Lajçakut për dialogun Kosovë-Serbi

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ka mirëpritur emërimin e Mirosllav Lajçak si të dërguar special nga BE për dialogun Kosovë-Serbi.

Heldt në Twitter tha se Lajcak do të flaës në emër të Gjermanisë dhe të gjitha vendeve anëtarë të Bashkimit Europian.

“Gjermania mirëpret Miroslav Lajcak – në emër të dialogut të strukturuar dhe thelbësor të BE-së, i cili çon në një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese. Si përfaqësues i BE-së, ai gjithashtu do të veprojë dhe të flasë për Gjermaninë dhe të gjitha vendet anëtare. Mbani në mend: Gjermania është BE, BE është gjithashtu Gjermani”, ka thënë ai.

 

Dje, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell bëri të ditur se Lajçak është diplomati i duhur për të udhëhequr dialogun Kosovë – Serbi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërpre, pasi Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018 vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Serbia ka kushtëzuar kthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e taksës.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi i kanë bërë thirrje Kosovës që të heqë taksën, me qëllim që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut.