Ilustrim

Ambasada e Francës deklarohet rreth kontingjentit të dytë të vaksinave që do të vijnë në Kosovë

Ambasada e Francës në Kosovë e ka mirëpritur paralajmërimin se një sasi tjetër e vaksinave anti-COVID-19 do të arrijë në Kosovë, duke theksuar se kjo do të jetë e mundur edhe falë mbështetjes së Francës.

Ambasada përmes një pulbikimi në Facebook ka deklaruar se situata me COVID-19 do të përmirësohet gradualisht.

“Ardhja e dozave të para të vaksinave  nga COVAX, me mbështetjen e Francës  dhe Team Europe, si dhe paralajmërimi i kontigjenteve të reja që do të vijnë është një lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën. Situata do të përmirësohet gradualisht, por nuk është ende koha të jemi të shkujdesur: ne ende duhet t’i respektojmë masat parandaluese dhe masat tjera kundër Covid-19. Të vazhdojmë kështu së bashku edhe pak kohë në mënyrë që të gjitha përpjekjet tona të shpaguhen”, thuhet në publikimin e ambasadës në Facebook.

Kosova do të sigurojë mbi 100,000 vaksina kundër coronavirusit Pfizer/BioNTech deri në fund të qershorit.

Lajmi u bë i ditur nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon shpërndarjen e drejtë të vaksinave edhe në vendet në zhvillim.

COVAX publikoi të hënën një listë me 146 vende të botës, ku ka shpërndarë dhe pritet të shpërndajë vaksina kundër coronavirusit.

Kosova, në fund të muajit të kaluar, ka marrë 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, përmes COVAX-it.

Kosova do të sigurojë mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech