Alicia Kearns, Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Alicia Kearns: 13 kryesues nga Evropa e cilësojnë të padrejtë qasjen e BE-së ndaj Kosovës

Kanë kaluar tre muaj, por pa përgjigje, prej kur deputetja britanike Alicia Kearns ka dërguar kërkesën e saj ndaj Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe që të jenë më kritikë ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në lidhje me përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Kearns thotë që çfarë ndodh është që 13 kryesues nga e gjithë Evropa janë të pakënaqur me qasjen e BE-së se është e padrejtë, e papërshtatshme dhe se nuk po i kontribuon paqes.

“Dhe prandaj ndoshta BE do të duhej t’i dëgjonte këta 13 kryesues, pa i përmendur 70 e më tepër politikanë që e nënshkruan letrën time qershorin e kaluar” – tha ajo në një intervistë për KALLXO.com.

Deputetja ripërsërit që politikanët dhe parlamentet nuk janë të kënaqur me mënyrën se si BE po vazhdon me këtë çështje. Për këtë arsye, sipas saj duhet të hiqen masat e njëanshme negative dhe të vazhdohet me ndërtimin e paqes në regjion dhe të sigurohemi që çdonjëri të jetojë në paqe në vendin e tyre.

“Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të mos ndjekë një politikë me qendër Beogradin në Ballkan. Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale. Ky fakt duhet të përbëjë bazën e politikës sonë të përbashkët ndaj krizës aktuale” – shkruan në letrën e dërguar nga kryesuesit e politikës së jashtme nga 13 vende të Evropës.

Në këtë letër shkruan që mungesa e presionit ndaj Serbisë pas arrestimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për të mbajtur përgjegjësi për sulmet ndaj forcës së sigurisë së NATO-s KFOR nënvizon ‘mungesën aktuale të paanshmërisë në trajtimin e pikave të tilla problematike”.

Poashtu përmendet edhe rrëmbimi i tre policëve kosovarë muajsh dhe mungesa e presionit ndaj Serbisë për t’i liruar ata.  Dhjetë ditë, tre policët patrullues u mbajtën në Serbi. Sipas autoriteteve të Kosovës ishin kidnapuar më 14 qershor nga ana e forcave të Serbisë në afërsi të Leposaviqit, përderisa autoritetet serbe thonë se ata janë arrestuar brenda territorit të tyre.

Çka thuhet në letrën e Kearns dhe Merezhkos për Kosovën, që iu dërgua SHBA-së, BE-së dhe Britanisë?