Albin Kurti: Sfida jonë e radhës, çlirimi i Kosovës nga korrupsioni dhe kapësit e shtetit

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti para qytetarëve në tubimin e sotëm në nderë të 15 vjetorit të subjektit që drejton, tha se 15 vitet që nga themelimi kanë qenë sfiduese.

Ai përmendi parullën e parë të vendosur ndaj UNMIK-ut, me mbishkrimin “Jo negociata”- “Vetëvendosje”.

“Para 15 vjetëve në ndërtesën ku ishte vendosur administrata e UNMIK-ut ne shkruam për herë të parë parullën jo negociata por Vetëvendosje. Ishte kjo parulla e kërkesës sonë të qartë politike për një shtet demokratik dhe sovran. Gjatë këtyre 15 viteve kemi pasur shumë pengesa dhe kemi pasur shumë sfida. Kemi marshuar përkrah njëri tjetrit. Për atë që na takon si qytetar si komb. Kanë rrahur e lënduar mijëra prej nesh kanë burgosur e malltretuar qindra prej nesh e kanë vrarë disa prej nesh. Mon Balaj, Arben Xheladini e Astrit Deharin kujtimi për ta është i paharrueshëm”, tha Kurti.

Ai përmendi edhe disa nga dëmet që i ishin shkaktuar Kosovës nga okupimi serb 21 vite më parë.

“Sot ne kujtojmë lirinë që fituam me gjakun e dëshmorëve tan me beteja të UCK-së dhe sakrificën e gjeneratave të tëra. Sot kujtojmë edhe gjenocidin vrasjen e mbi 13 mijë civilëve dhe zhdukjen e tyre, përdhunimet e mijëra personave, masakra të shumta, djegien e shtëpive dhe pronave private. Sot jemi mirënjohës NATO-s dhe SHBA për ndihmën në kauzën tonë për liri dhe vendvendosje dhe për ndihmën e ndërtimit të një shoqërie demokratike. 12 qershori është dita e çlirimit të Kosovës nga Serbia, por nga çlirimi i këtij okupatori njëheë nga UNMIK që nuk solli asnjë zhvillim dhe disa politikanëve që zhvatën popullin. Sot vërtetë jemi më të lirë por edhe të varfër. Kemi shumë dëshira për të ardhmen por edhe ankth kemi një shtet që politikanët e pasuruar përmes korrupsionit bëjnë jetë të pasur në shtet të varfër, kemi një sistem shëndetësor të rrënuar dhe një vend ku pastrohen kriminelët”, shtoi ai.

Tutje Kurti përmendi që edhe sot pas 21 viteve, qëllimi është të krijohet një qeveri të drejtë, pa korrupsion.

“Sfida jonë 21 vjet pas çlirimit nga Serbia është çlirimi i Kosovës nga korrupsioni dhe kapësit e shtetit. Kjo sfidë na takon neve qytetarëve të bashkuar. Duke zgjedhur përfaqësuesit tanë të ndershëm”, tha Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje po mban tubim siç e ka quajtur paqësor, për të shënuar 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 15 vjetorin e formimit të Vetëvendosjes.

Një numër i madh i zyrtarëve policor janë parë rreth e rreth Qeverisë së Kovës. Të njëjtit janë angazhuar për të mbajtur rend gjatë tubimit.