MEDIA-PRESS

Foto: Shqipron Halimi

AGK: Prolongimet e rasteve të gazetarëve nga Gjykatat janë shqetësuese

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK ka reaguar për prolongimet e rasteve në drejtim të gazetarëve nga Gjykatat.

Sipas një komunikate Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thotë se me shqetësim ka pranuar ankesën e kolegëve tanë, Dush Gashi dhe Ali Cenaj, për prolongimin e rastit të tyre nga Gjykata e Apelit lidhur me largimin e tyre nga puna nga Gazeta Zëri në fund të vitit 2014, pas punës së tyre 14 vjeçare.

Sipas komunikatës së AGK-së, ankuesit e kanë deponuar padinë e tyrë në Gjykatën Themeore në Prishtinë më 8 janar 2015, ku i njëjti institucion ia ka aprovuar gazetarit Gashi të gjitha pikat e padisë së tij: Kthimi në punë dhe kompensimi i gjitha pagave, në ndërkohë që padia e gazetarit Cenaj është aprovuar pjesërisht, pra vetëm me kompensim të pagave, por jo edhe kërkesa e tij për t’u rikthyer në punë. Por, pas ankesës së bërë nga pala tjetër në këtë rast, Gazeta Zëri, më datë 13 shkurt 2016, kjo lëndë vazhdon të mbetet në Gjykatën e Apelit.

Në lidhje me këtë rast, AGK-ja ka dërguar pyetje në Gjykatën e Apelit, por që deri në momentin e publikimit të këtij reagimi nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

“Për AGK-në është e patolerueshme dhe absurde vonesa për shqyrtim e kësaj lënde që tashmë është bërë më shumë se gjashtë (6) vite që nga paraqitja e saj. Prolongim i këtyre rasteve nuk arsyetohet me asgjë dhe e përkeqëson klimën e të bërit gazetari në Kosovë, gjithashtu bën që për shkak të vonesave dhe mos shqiptimeve të dënimeve meritore, gazetarët të hezitojnë t’i paraqesin rastet e tyre pranë organeve kompetente”, thuhet në komunikatë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bënë thirrje organeve përkatëse që sa më parë të marrin hapat e nevojshëm në shqyrtimin e lëndëve të kolegëve Dush Gashi dhe Ali Cenaj, si dhe të gjitha rasteve të tjera të kolegëve tanë që janë kërcënuar e sulmuar.