Agim Veliu, ankesë drejtuar LDK-së: Vendimi përçarës i Kryesisë “CERTIFIKATË E MOSMIRËNJOHJES”

Ish kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Agim Veliu është ankuar gjatë ditës së sotme ndaj një vendimi të datës 9 qershor, ku Kryesia e kësaj partie shkarkoi atë nga udhëheqja e degës së LDK-së në qytetin ku ishte kryetar për disa mandate.

Veliu, vendimin e Kryesisë së partisë së tij e ka quajtur si shkelje të statusit të LDK-së, politikisht të dëmshëm për partinë dhe jo etik dhe të pamoralshëm.

Agim Veliu, i cili në qeverisjen e kaluar ishte ministër i Punëve të Brendshme nga LDK, u anashkalua nga Kryesia e partisë, derisa kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës për zgjedhjet e ardhshme lokale, LDK zgjidhi deputetin Ekrem Hyseni.

“Në pikën 1 të këtij vendimi është emëruar kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës. Ky veprim është i kundërligjshëm nga ana e Kryesisë qendrore sepse me vendimin e atakuar kandidati është emëruar pa koordinim me Kryesinë e Degës në Podujevë”, thuhet në vendimin që e ka siguruar KALLXO.com.

Ai ka thënë se vendimi i Kryesisë së LDK-së e dëmton vetë partinë.

“Përveçse kundër statutit, ky Vendim i Kryesisë Qendrore të LDK është edhe politikisht i dëmshëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës në Përgjithësi dhe për Degën e saj në Podujevë në veçanti. Kjo për faktin se në vjeshtën e këtij viti mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, prandaj në këtë proces Dega e LDK-së në Podujevë do të ketë reputacion të lënduar për shkak të këtij Vendimi arbitrar dhe kundër statutar të Kryesisë Qendrore dhe të kryetarit të LDK-së”, thuhet në ankesën e Agim Veliut.

Në fund, ai vendimin e Kryesisë, e ka quajtur të pamoralshëm.

“Po ashtu, ky vendim është edhe i pamoralshëm në pikëpamje politike në raport me qytetarët e Komunës së Podujevës. Përveç tjerash, ky vendim i Kryesisë Qendrore është fyerje për qytetarët e komunës së Podujevës të cilët për 30 vite të themelimit të LDK e mbështetën, madje edhe në periudha të rënda. Ky vendim përçarës i kryesisë qendrore të LDK-së është “CERTIFIKATË E MOSMIRËNJOHJES” për kontributin, besnikërinë dhe mbështetjen e vazhdueshme 30 vjeçare që qytetarët e Komunës së Podujevës dhanë për LDK-në. Njëjtë, është fyerje edhe për mua si themelues dhe kryetar i saj. Këtë e bëri Kryesia Qendrore e LDK-së në krye me kryetarin z. Lumir Abdixhikun”, thuhet në vendim.

KALLXO.com ka provuar ta kontaktoj Veliun por ai nuk është përgjigjur në telefon.