Agim Bahtiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Agim Bahtiri: PDK e ka ndarë Mitrovicën

Kryetari aktual i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se Mitrovica është ndarë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Këto deklarata Bahtiri i ka dhënë në një debat në RTV Dukagjini.

“Mitrovicën e kanë ndarë këta që po dëshirojnë me marrë siç po thoni ju Bedriu, e ka ndarë në tavolinë. Kush e ka ndarë tjetër a unë? Unë e kam gjetë të ndarë kur kam ardhë. Me planin e Ahtisarit është ndarë në Mitrovicën e Veriut dhe Jugut”, tha Bahtiri.

Ai shtoi tutje se Komuna e Mitrovicës konsiderohet një nga komunat më stabile në aspektin e sigurisë.

“Mitrovica ka qenë e pasigurt në mënyrë totale siç e dini ju të gjithë dhe ku ka pasiguri nuk ka investime kapitale. Sipas raporteve të policisë është një  ndër qytetet më të sigurta në Kosovë. Si nuk ka ndikim politika te Policia dhe gjyqësia dihet që vendi vihet në binarë. Mitrovica është diçka më e madhe se komuna”, tha tutje Bahtiri.

Bahtiri përmendi edhe disa projekte që kanë ndodhur në Mitrovicë.

“Mburrem sepse është kthyer një kulturë e mirë në Mitrovicë, është një liqe i bukur që është bërë, është bërë universiteti i ri në Mitrovicë, është bërë shkolla amerikane, janë pishinat më të bukura që i ka Kosova janë në Mitrovicë”, shton Bahtiri.