'Aderimi' i Kadri Veselit angazhohet si ekspert në dialog nga Avdullah Hoti

Me një fotografi në Facebook e në Twitter, Kadri Veseli i kishte shprehur mirëseardhje në atë, që në vitin 2017 e quante “Fillimi i ri”.

Robert Muharremi, një profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare u prezantua si prurje e mirë në ekipin e kryetarit të PDK-së.

Tre vjet më vonë, Robert Muharremi është angazhuar sërish në një mision, tani në dialogun Kosovë-Serbi, si ekspert i qeverisë së Kosovës të cilës i prin Avdullah Hoti i LDK-së.

Muharremi, së bashku me profesorin e ekonomisë, Muhamet Mustafa, në cilësinë e ekspertëve, kanë udhëtuar drejtë kryeqytetit evropian për takimin e nesërm mes palës kosovare dhe asaj serbe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Muharremi në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se asnjëherë nuk ka qenë pjesë e PDK-së, ndonëse e kishte përkrahur liderin e kësaj partie. Ai ka thënë se ka qenë këshilltar i jashtëm i ish-ministrës nga PDK, Dhurata Hoxha.

“Përkundër përkrahjes time publike për Kadri Veselin, nuk jam anëtarësuar në PDK dhe as nuk kam marrë pjesë ndonjëherë në strukturat partiake të PDK. Po ashtu, në shkurt 2018 jam larguar edhe nga cilësia e këshilltarit të jashtëm të Ministres së atëhershme Dhurata Hoxha. Deri para një muaji kam qenë këshilltar i jashtëm dhe pro bono i Ministres për Punë të Jashtme (AAK) gjë që tregon që nuk jam PDK”, ka thënë Robert Muharremi.

Ai tha, gjithashtu, se nuk është as pjesë e partisë së Isa Mustafës, ndërsa angazhim në qeverinë e Kosovës e ka vetëm në cilësinë e ekspertit. Robert Muharremi është ligjërues në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK).

Bashkë me Skender Hysenin në Bruksel udhëtuan edhe Muhamet Mustafa e Robert Muharremi

www.kallxo.com