Bashkë me Skender Hysenin në Bruksel udhëtuan edhe Muhamet Mustafa e Robert Muharremi

Kosova dhe Serbia nesër takohen në kryeqytetin evropian në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Këshilltari politik i kryeministrit Avdullah Hoti, Xhavit Beqiri ka konfirmuar për KALLXO.com se pjesë e delegacionit të Kosovës janë edhe dy profesorë të fushës së ekonomisë.

“Në Bruksel ka udhëtuar koordinatori Shtetëror për Dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, profesorët e ekonomisë, Muhamet Mustafa dhe Robert Muharremi, në cilësinë e ekspertëve”, ka thënë Beqiri.

Ai ka thënë se Muhamet Mustafa dhe Robert Muharremi janë angazhuar nga qeveria e Kosovës në cilësinë e ekspertëve ndërsa, tha se në Bruksel do të flitet për çështje ekonomike.

“Vetë përbërja e delegacionit tregon që fokusi i diskutimeve në Bruksel do të jetë ekonomik, sepse profesorët që janë atje janë të fushës së ekonomisë. Dy profesorët janë të angazhuar nga kryeministria, si ekspert të fushave të veta”, deklaroi këshilltari politik i Hotit.

Ndërsa, sot gjatë ditës, i dërguari i veçantë i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajak, konfirmoi se në takimin e nesërm mes ekspertëve do të flitet për “zgjidhjen e kërkesave dhe rregullimeve të ndërsjella financiare për komunitetin jo-shumicë”.

Lajçak jep detaje për takimin e nesërm në Bruksel mes ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë

www.kallxo.com