Aborti i 13-vjeçares, arrest shtëpiak prej 30 ditësh për gjinekologun

I është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh të pandehurit A. G. nën dyshimin se në ordinancën e tij ka kryer abortin ndaj të miturës.

Këtë kërkesë e ka aprovuar Gjykata Themelore në Gjilan me kërkesën e Prokurorisë Themelore.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri në cilësinë e mjekut gjinekolog, në ordinancën e tij, ka kryer abortin ndaj të miturës, me ç’rast i njëjti ka treguar vendosmëri në kryerjen e veprave penale pasi që i kishte diktuar të dëmtuarës se çfarë të shkruaj në deklaratën e saj për dhënien e pëlqimit për kryerjen e abortit”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu i pandehuri gjatë kontrollit të dëmtuarës, nuk e ka lajmëruar veprën penale të dhunimit.

Me këto veprime i pandehuri A. G. dyshohet se ka kryer veprat penale “ndërprerja e shtatzënisë’’ dhe “moslajmërimi i veprave penale dhe kryerësve të tyre”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas komunikatës, fillimisht kërkesa e prokurorit ka qenë për caktimin e masës së paraburgimit, por pas dëgjimit të deklaratës së të pandehurit dhe të mbrojtësit të tij, ka kërkuar që të caktohet masa e arrestit shtëpiak, pasi që i njëjti i ka premtuar Gjykatës që nuk do të ndikojë në dëshmitarë.

Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të pandehurve, të cilët dyshohet se kanë dhunuar 13-vjeçaren.

Muajin e kaluar KALLXO.com ka raportuar se Gjykata në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit Sh. J.

Sh.J. dyshohet se ka shfrytëzuar një vajzë të mitur duke e dërguar në motele të ndryshme, duke e detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale, ashtu që e mitura ka mbetur shtatzënë.