Abdixhiku uron qytetarët për festën e Fitër Bajramit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit.

“Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me fat Fitër Bajrami. Kjo festë le të na rikujtojë se sakrifica dhe vlerat njerëzore që na bashkojnë dhe na sigurojnë mirëkuptim e kujdes ndaj njëri tjetrit janë vlera të domosdoshme për një shoqëri me zhvillim të begatshëm e me bekim prej Zoti”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin social “Facebook”.

Abdixhiku ka thënë se Festa e Bjramit kurorëzon përpjekjet e të gjithë atyre që kanë përshkruar udhëtimin shpirtëror një mujorë dhe ia kanë dalë mbanë të jenë më të virtytshëm.

“Në këtë feste të madhe e gëzimi për ju dhe familjet tuaja, pas një muaji të shenjtë agjërimi, shpreh nderimin për të gjithë ata që kanë kaluar këtë muaj nën shenjën e adhurimit të Zotit, njëkohësisht duke sprovuar veten e me lutje ndaj tij, nën shenjën e mirësisë, sakrificës e përulësisë. Festa e Bajramit kurorëzon përpjekjet e të gjithë atyre që besojnë në Krijuesin që pasi kanë përshkuar udhëtimin shpirtëror njëmujor, ia kanë dalë mbanë të jenë bërë më të virtytshëm, më të mëshirshëm dhe më zemërgjerë”, ka thënë Abdixhiku.

Tutje, ai ka theksuar se qytetarët e Kosovës janë shquar për vlera humane dhe vëllazërore duke dëshmuar si shoqëri që respekto njëri- tjetrin e ndanë më ata në nevojë.

“Qytetarët e Kosovës gjithmonë janë shquar për vlera humane, vëllazërore dhe solidariteti, duke u dëshmuar si shoqëri që respekton njëri tjetrin e ndanë me ata në nevojë – prandaj, le të vazhdojmë t’i mbajmë këto vlera edhe përtej muajit të shenjtë e përtej Festës së Bajramit”, ka shtuar Abdixhiku.

Pas përfundimit të muajit të Ramazanit, besimtarët e fesë islame kremtojnë sot festën e Fitër Bajramit.