Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AAK premton që tarifat nxitëse për energjinë e erës do të jepen me konkurs të hapur

Kandidati i AAK-së për deputet, Besnik Krasniqi në #DebatPernime është shprehur se AAK është për konkurrencë të lirë dhe të hapur kur të vjen puna për të dhënë tarifa nxitëse për energjinë e erës.

Madje, Krasniqi thotë se thirrjet duhet të jenë ndërkombëtare dhe të vijnë kompani të huaja.

“Ne besojmë që konkurrenca e hapur dhe publike ndikon në cilësinë e investimeve tona, sidomos kur është në pyetje shfrytëzimi i resurseve tona natyrore. Ne besojmë që sa më shpejtë duhet të fillojmë ta bëjmë këtë me thirrje të hapur ndërkombëtare dhe jo në nivel nacional. Në këtë formë do të kishim mundësinë që t’i tërheqim investitorët potencial të cilët janë të specializuar në investimet e energjisë së ripërtritshme, gjë që Kosova ka shumë resurse në këtë drejtim”, tha Krasniqi në #DebatPernime.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Besnik Krasniqi dhe Bajram Kastrati nga AAK, Besian Mustafa nga LDK dhe Hajrullah Çeku nga LVV, të cilët do të flasin për ‘Energji, Bujqësi dhe Ambient’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.