AAK dhe minoritetet kundër Kodit Civil, LDK kërkon qëndrimin e Qeverisë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) dhe deputetët e grupit multietnik janë deklaruar kundër projekt Kodit Civil, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë kërkuar sqarime nga pozita lidhur me disa çështje të këtij projekt Kodi.

Kryetari i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se nga kjo parti në formën se si është Kodi Civil nuk do ta ketë mbështetjen.

“Sot në seancë kemi për trajtim me të vërtetë një projektligj të rëndësishëm. Atë të Kodit Civil i cili ndër tjera përbën 1630 nene dhe trajton tema të rëndësishme. Shiko sa deputetë të pushtetit i kemi në sallë, duhet me dit pse nuk janë këtu, a janë kundër Kodit Civil apo se keni ngrit çështje të cilat ata besojnë që nuk janë të drejta. Mendoj që është mirë qytetarit t’ia themi troç. Para tri jave jemi deklaruar kundër versionit të Kodit Civil. Ne mendojmë se në formën si është ky Kod Civil nuk e ka mbështetjen e AAK-së”, ka thënë ai.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se Kodi Civil përcakton të drejtën civile që nga lindja deri në vdekje dhe për LDK-në është dokumenti më i rëndësishëm pas kushtetutës së Kosovës.

“Ne e vlerësojmë përmbajtjen dhe sjelljen e këtij dokumenti. Por kemi interes të kuptojmë edhe qëndrimin e qartë të qeverisë për atë çështje që është diskutuar shumë në shoqëri. Duke u diskutuar vetëm për këtë çështje janë lanë anash shumë çështje tjera që rregullon kjo materie”, ka deklaruar Selmanaj

Selmanaj ka thënë se kërkojnë të dinë më qartë mendimin e Qeverisë lidhur më këtë pikë.

“Dua të kuptojë më qartë se cili është mendimi i qeverisë, nëse qëndrimi i qeverisë është ashtu sic është artikuluar me ligj që bashkësitë civile në Kosovë të njihen si kategori tash e tutje, a ka bërë punë qeveria e Kosovës të bëj punë të veçantë”, ka thënë Selmanaj.

Deputeti Erxhan Galushi nga grupi multietnik, lidhur me bashkësinë civile të personave me gjini të njëjtë ka thënë se e jashtëzakonshmja nuk mund të jetë kurrë e zakonshme dhe se promovimi i të pa jashtëzakonshmes si diçka e zakonshme është fyerje ndaj shumicës së zakonshme.

“Si grup multietnik kurrë nuk mund të votojmë kundër vlerave familjare me të cilat jemi lindur”, ka thënë ai.