93 kilogramët e marihuanës u sekuestruan në Prizren, arrestohet edhe personi i tretë

93 kilogramët e marihuanës që u sekuestruan dje u gjetën në fshatin Tupec të Prizrenit ku më pas u arrestuan dy shtetas të Shqipërisë dhe një shtetas kosovar.

Sipas detajeve të dhëna nga Policia e Kosovës, përmes një aksioni të koduar me emrin “Dardha”, droga është gjetur në një automjet të tipit Mercedes, me targa vendore, me drejtues mashkull shtetas i Shqipërisë.

Gjatë këtij operacioni gjithashtu është bërë dhe arrestimi i personit të dytë të dyshuar mashkull shtetas i Shqipërisë, i cili dyshohet se me një automjet të tipit Audi me targa të Shqipërisë i ka siguruar rrugën për lëvizje të dyshuarit të parë i cili po lëvizte me automjetin me narkotikë.

Droga e sekuestruar ishte paketuar në 181 pako.

Bashkë me drogën janë sekuestruar edhe një peshore, 622 euro para kesh, 6700 lekë para të Shqipërisë dhe dy automjete me të cilat është transportuar malli i konfiskuar.

Me vendim të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje për 48 orë.