51 vjetori i UP-së, u ndahen mirënjohje studentëve të dalluar

Universiteti  i Prishtinës “Hasan Prishtina” sot ka shënuar 51 vjetorin e themelimit

Rektori i UP-së, Naser Sahiti ka thënë për KALLXO.com se me rastin e kësaj dite kanë organizuar një ceremoni modeste në rreth të ngushtë për shkak të rrethanave të rënduara nga COVID-19.

Sahiti njoftoi që të premten i janë ndarë mirënjohje studentëve të dalluar dhe kanë përgatitë një video e cila do të shfaqet në facebook dhe në rrjete tjera sociale.

“Shfrytëzoj rastin t’i uroj studentët, stafin akademik, stafin administrativ dhe stafin ndihmës me rastin e 51 vjetorit të UP-së dhe t’i falënderoj për angazhimin e treguar në mbajtjen e mësimit dhe aktiviteteve tjera në këto rrethana. Uroj që përvjetorin tjetër ta festojmë në rrethana normale dhe në mënyrë shumë më madhështore”, uroj Sahiti.

UP është universiteti më i madh në Kosovë dhe njëri nga më të mëdhenjtë në rajon. Është anëtar i Shoqatës së Universiteteve Evropiane dhe ka bashkëpunim me universitete dhe institucione perëndimore evropiane dhe amerikane.

Themelimi i UP-së ishte një ngjarje historike për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar.

Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës.

Vitin e kaluar, me rastin e 50 vjetorit Universiteti “Hasan Prishtina” kishte promovuar librin monografik “50 vjet Universiteti i Prishtinës” në gjuhën shqipe dhe angleze.

Kjo monografi është promovuar në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 50 vjetorit të themelimit të këtij universiteti.

Monografia jep të dhëna historike e faktografike për zhvillimin e UP-së, në etapa të ndryshme që nga themelimi deri në ditët e sotme.