Rrëfimi i 39 vjeçarit nga Gjilani,virusin e kam zënë hajgare është shumë i vështirë

Gjilanasi 39 vjeçar, tash e dhjetë ditë është duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit më saktësisht në repartin e Infektivës.

I njëjti para se të infektohej me coronavirus thotë se nuk e kishte besuar shumë ekzistencën e virusit.

“Merrni këshillat, prej mjekëve edhe me pas kujdes se unë personalisht, e kam zanë pak si hajgare por e provova dhe shumë vështirë ishalla zoti se provon askënd”, thotë burri  i cili edhe pse është larguar nga aparatura e oksigjenit ende shfaq vështirësi në frymëmarrje.

Pacienti për KALLXO.com, rrëfen se si kishte shkuar në spital dhe gjendjen shëndetësore të tij.

“Që 10 ditë jam në spital. Kam ardhur me temperaturë, kollitje, në momentin që kam ardhur në spital kam pasur pengesë në frymëmarrje ma kanë vendosur oksigjenin”, tha ai

Ai thotë se pas katër ditësh, pasi ishte shtruar në spital kishte filluar të i përmirësohej gjendja.

“Pengesat me frymëmarrje kanë qenë, kam qenë shumë keq me frymëmarrje. Pa oksigjen skam mujt me qëndru”, rrëfen 39 vjeçari.

Spitali Rajonal i Gjilanit po trajton 60 pacientë me coronavirus. Këta pacientë po trajtohen në pesë repartet e këtij spitali.

Momentalisht, repartet që po trajtojnë pacient me COVID-19 në Gjilan janë, repart i Infektivës, ai i Pulmologjisë, i ORL-së, i Neurologjisë dhe një repart tjetër që shfrytëzohet si njësi intensive.

Në Kosovë, në bazë të statistikave të fundit, numri i të prekurve me COVID-19 është 9 mijë e 492.

Nga kjo shifër janë shëruar 5 mijë e 346 persona ndërsa numri i viktimave është rritur për 15 sot.

Gjithsej numri i të vdekurve nga coronavirus është 284.