25 vjet burg për ish policin e akuzuar për vrasjen e një personi në Gjilan

I akuzuar për vrasje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës, ish polici Vllaznim Hamdia është gjetur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata e Gjilanit me 25 vjet burg

Hamdia, për vrasje të rëndë është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 23 vite, për armë mbajtje pa leje është dënuar me 1 vit burgim, kurse për përdorim të armës gjithashtu është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje 3 viteve.

Dënimin unik, Gjykata e Gjilanit të akuzuarit Vllaznim Hamdia, i ka caktuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 25 viteve.

Kujtojmë se në seancën e fundit duke dhënë fjalën përfundimtare Prokurori Isuf Sadiku dhe mbrojtësja e familjes së dëmtuar patën kërkuar dënimin maksimal, kurse Avokati i të akuzuarit kërkonte rikualifikimin e veprës penale.

“Janë elaboruar prova të mjaftueshme andaj i propozoj Gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe të merr një vendim meritor, duke marrë parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese”, pati thënë Prokurori Sadiku.

Gjithashtu edhe  mbrojtësja e familjes së dëmtuar, Avokatja Vlora Kadriu, kishte thënë̈ se e mbështet në tërësi fjalën përfundimtare të dhënë nga prokurori i shtetit dhe i pati propozuar Gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor, dhe gjatë matjes së llojit dhe lartësisë së dënimit të ketë parasysh rrethanat duke kërkuar dënimin maksimal ndaj tij.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit avokati Ymer Huruglica ka thënë se nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale, duke propozuar që të bëhet rikualifikimi i veprës penale në dy mundësi, tejkalimi i mbrojtjes së nevojshme apo  vrasje në gjendje të tronditjes së rëndë mendore. Gjithashtu kërkonte vërtetimin e  elementit dashjes së veprës penale.

“Mbrojtja është e vetëdijshme që ngjarja e ndodhur është shumë tragjike, mirëpo nuk ka ndodhur me fajin e të akuzuarit. Me rastin e caktimit të llojit të dënimit, kërkojmë nga Gjykata të merr parasysh të gjitha rrethanat”, ka thënë në fjalën e tijë përfundimtare Avokati Huruglica.

Fare në fund, i akuzuari kishte deklaruar që e mbështet fjalën përfundimtare të avokatit të tijë duke shprehur keqardhje ndaj familjarëve të të ndjerit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjilanit i akuzuari Vllaznim Hamdia, më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në rrugën ‘’NATO 99’’, në Gjilan, ka privuar nga jeta të ndjerin Lulzim Spahiu.

Ngjarja sipas Prokurorisë, kishte ndodhur derisa i akuzuari ishte duke lëvizur me veturën e tij, shkakton aksident trafiku me kamionin të cilin ishte duke e drejtuar i ndjeri Spahiu.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas aksidentit, i akuzuari del nga vetura dhe pas kacafytjes, kërcënimeve dhe sharjeve mes tij, viktimës dhe djalit të viktimës, i akuzuari e nxjerrë armën e zjarrit dhe pasi viktima hyn në kamion, i njëjti ofrohet te dera e kamionit dhe me armë gjuan një herë në drejtim të tij, me ç’rast e godet nën vetullën e syrit të djathtë. I njëjti (viktima) për shkak të plagëve të marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, i akuzuari Vllaznim Hamdia akuzohet se ka kryer vrasja të rëndë.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, i njëjti dyshohet edhe për dy vepra penale: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi i janë gjetur edhe dy revole të tjera dhe fishekë të llojeve të ndryshme.

Vllaznim Hamdia akuzohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, pasi para rastit të ndodhur, derisa ishte duke dëgjuar muzikë në një lokal në fshatin Malishevë, në brendësi të lokalit kishte shkrepur me armë zjarri.

Gjilan – Merr fund gjykimi ndaj ish policit, i akuzuar për vrasje të rëndë