Albin Kurti

24-vjet nga Masakra e Studimes, Kurti: Drejtësia të veprojë, dënime për kriminelët e luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar 116 viktimat e Masakrës së Studimes në Vushtrri të kryer nga forcat serbe më 2 maj 1999. Ai i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë që të ndriçojë vrasjet dhe të dënojë fajtorët.

“I bëj thirrje sistemit tonë të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës. Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë” – ka shkruar Kurti.

Nё ditёt e para tё muajit maj 1999, forcat serbe dogjën fshatrat e Vushtrrisё dhe dëbuan me dhunë banorët. Më 2 maj të vitit 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë. Familjes Gërxhaliu ia vranë 36 anëtarë, nga mosha 85 vjeç deri në 5 vjeç.

“Ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna. E kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë!” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Për rajonin e Mitrovicës është përcaktuar vetëm një polic hetues për hetimin e krimeve të luftës. Derisa në të gjithë Kosovën janë 13 policë hetues e katër prokurorë që merren me krimet e luftës.

Më 2 maj të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, brenda pak orëve nga forcat policore e ushtarake të Serbisë vranë 116 civil, ndërsa shumë të tjerë mbeten të plagosur.