Foto: KALLXO.com

2 mijë e 83 aplikime për statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës

Që nga themelimi i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës në vitin 2017, deri më tani në fillim të qershorit 2024, 2 mijë e 83 aplikime për status të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës janë dorëzuar në këtë komision, prej të cilave 1 mijë e 650 janë pranuar dhe 316 janë refuzuar.

Ndërkaq, vetëm gjatë këtij viti, 81 persona kanë aplikuar për të marrur statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës. 

Këto të dhëna u shpalosën në raportimin e komisionit përkatës në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, i cili në pjesën e dytë u mbajt i mbyllur për media nën arsyetimin se do të diskutohet çështje të ndjeshme. Nga të dy palët u bë thirrje që të ngritet vetëdijësimi dhe që askush mos të mbajë rastet e izoluara, por të paraqiten në komisione për të marrë statusin që ju takon.

Leonora Selmani, kryetare e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë luftës në Kosovë, tha që në pritje për intervistë janë 40 raste, ndërkaq 50 tjera janë ende të patrajtuara.  

Sipas saj, në vitin 2018 ka pasur më së shumti aplikime, apo 921 sosh.

Të dy komisionet e panë të arsyeshme që për shkak të ritmit  të aplikimeve për të marrë statusin e viktimës, e shohin të arsyeshme që të zgjatet koha e aplikimit edhe për dy vite tjera. Deri më tani afati është i caktuar deri në muajin maj 2025.

Duda Balje, Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, para se të mbyllet mbledhja për media, ngriti diskutimin që si trajtohen viktimat nga komisioni qeveritar, atëherë kur kalojnë nëpër procedurat për të marrë statusin e viktimës.

Sipas saj, shumë prej viktimave që janë paraqitur në komisionin që ajo drejton, kanë pasur vërejtje që mjekët kanë kërkuar të shohin shenjat e viktimave të dhunës.

“Po du me qenë e sinqertë. Gruja ka thanë që kur kam hy brenda, ata më kanë thanë “Hjeke këmishën që me i pa shenjat”. Shenjat mbas më shumë se 20 vite”- tha Balje duke shtuar se “99 për qind e viktimave, e kanë pasur këtë problem. Dhuna jo çdo herë ka shenja”.

Doktori, Shpend Haxhibeqiri, anëtar i Komisionit Qeveritar e kundërshtoi Baljen, duke i thënë se i ka informatat gabim. Pas këtij diskutimi, mbledhja u mbyll për media.

“Jo, unë kurrë nuk i kontrolloj shenjat. Po, ti…Gabim e keni informatën”- tha Haxhibeqiri.

Para kësaj situate, Fatmire Mullhaxha- Kollçaku, deputete e LVV-së, kërkoi nga komisioni qeveritar të mos ketë afat përfundimtar për aplikime marrë parasysh rëndësinë e aplikimeve.

“Nuk do ketë afat përfundimtar, derisa të përfundojë aplikimi, përgjegjësia juaj është më ndryshe e keni të domosdoshme të keni prova”- tha ajo.

Të njëjtin mendim ndau edhe Selmani, e cila tha se gjatë këtij viti kanë më shumë punë për shkak të numrit të madh të aplikimit në pjesën e parë të vitit.

Labinotë Demi-Murtezi, po ashtu deputete e LVV-së, kërkoi sqarime se pse komisioni qeveritar, nuk ka kthyer përgjigjje në telefonatat e Vasfije Krasniqi- Goodman, e cila ishte ankuar se në vitin 2023, njëherë një muajin prill e njëherë në gusht nuk ka arritur të marrë përgjigje nga komisioni qeveritar,

Selmani e pranoi që nuk ju ka përgjigjur në telefon ish-deputetes së Kosovës, e cila ishte deklaruar publikisht që ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovës nga forcat e regjimit serb.

“Ka raste që kam qenë me familje edhe nuk jam lajmëru se e kam pa të arsyeshme që do gjëra mos të fliten në telefon. Po ka ndodhur. Nuk kisha dashtë që një telefonatë në Viber t’i prishë marrëdhëniet e mira që i kemi. Kërkoj falje që nuk jam përgjigjur”- tha Selmani.

Ndërkaq për rastet e refuzuara, Selmani iu përgjigj deputeteve duke thënë se edhe pse janë refuzuar ka gjasa që të aprovohen nëse aplikojnë herën tjetër.

“315 raste, ka që 6 herë është shqyrtu. Secili rast e ka marrë trajtimin e duhur sidomos rastet që kanë kërkesa, sepse mund të ndodh të na ik diçka por ne me rishqyrtime i japim hakun”, tha Selmani.

Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që personave që përjetuan këto krime gjatë luftës, t’u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u është mundësuar të marrin pensionin ligjor që arrin në vlerën prej rreth 230 euro në muaj.

Bazuar në deklaratat e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, gjatë luftës së fundit kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të dhunimit seksual.

Në korrik të vitit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar dënimin e parë për kryerje të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.