Kurti: Viktimat e dhunës seksuale kanë nevojë për drejtësi

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka reaguar pas dënimit të serbit Zoran Vukotiq me dhjetë vjet burgim për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës, përkatësisht për dhunim seksual.

Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se drejtësia për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë është e domosdoshme anipse e vonshme.

“Drejtësia është e domosdoshme, edhe në momente si ky kur vjen shumë vonë. Viktimat e dhunës seksuale kanë nevojë për drejtësi, por edhe për përkrahjen tonë shoqërore për të luftuar stigmën që i përcjellë”, ka shkruar ai.

“Krimet e luftës nuk parashkruhen, dhe nuk mund të kenë amnisti për këtë krim të kryer gjatë luftës në Kosovë, këtë armë lufte të përdorur nga okupatori”, ka theksuar kryeministri Kurti.

Tutje Kurti ka thënë se dhuna seksuale gjatë viteve 1998 – 99 është përdorur si mjet lufte në vazhdimësi në Kosovë.

“Mijëra gra e burra, vajza e djem kanë qenë viktima të këtij krimi. Ndërkaq dy dekada pas luftës, as edhe një person nuk është dënuar për një krim të tillë.Sot, pas 23 vitesh pandëshkueshmëri për krimin e dhunës seksuale, për herë të parë dënohet dikush. Zoran Vukotiqi është dënuar me 10 vite burgim për rastin e ushtrimit të dhunës seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri”, ka shkruar ai.

Zoran Vukotiq është shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës dhe është dënuar me 10 vite burgim për krime lufte  kundër popullatës civile të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kjo është aktakuza dhe rasti i parë i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, i ngritur nga prokurorët vendorë dhe i gjykuar nga gjykatësit vendorë që përfundon me aktgjykim dënues, në shkallë të parë, pasi që kujtojmë se i akuzuari ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

 

Vjosa Osmani pas dënimit të Vukotiqit: Kemi nevojë për drejtësi edhe për mijëra gra kosovare